Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, pohoi se është e mundur të zgjidhet problemi i hapur për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Borrell, në një intervistë për shërbimin publik austriak ORF, theksoi se paqja në rajon është shumë e brishtë, por se marrëveshja për lirinë e udhëtimit është një hap pozitiv.
“Ne operojmë në modalitetin e parandalimit të krizave. Kriza mund të kishte shpërthyer më 1 shtator nëse nuk do të kishim arritur një marrëveshje për kalimin e kufijve. Ky është një lajm i mirë”, shpjegoi ai. Ai ka treguar se çështja për tabelat është ende e hapur. “Jam i bindur se mund ta zgjidhim edhe këtë”, tha Borrell.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve. Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes./albeu.com