Dialogu, Borrell para largimit nga posti ka kërkesa për Kosovën e Serbinë

Shefi i diplomacisë evropiane në largim Josep Borell, vlerësoi se gjatë mandatit të tij është bërë shumë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se përparimi në dialog kërkon guxim, vizion dhe vullnet politik të liderëve të të dyja palëve.

Ai në një tekst autorial të publikuar në portalin EEAS, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është në qendër të përfshirjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Është e nevojshme të zhbllokohet e ardhmja evropiane për të dyja palët dhe të forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon”, tha ai.

Borrell theksoi se në kuadër të dialogut është bërë shumë gjatë viteve të fundit dhe shtoi se procesi mund të përparojë vetëm aq sa të jenë të gatshme të dyja palët.

“Ndërmjetësimi i BE-së nuk mund të sjellë normalizim më të madh sesa dëshirojnë Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh njerëz të ndryshëm do të jenë në krye të kësaj teme në Bruksel, por pritjet e BE-së dhe vendeve anëtare nuk do të ndryshojnë. Detyrimet Kosovë-Serbi nuk do të zhduken”, tha Borrell.

Si arritjen më të rëndësishme gjatë mandatit, Borrell përmendi marrëveshjen në Ohër dhe Aneksin për zbatimin e saj 2023, teksa shtoi se Kosova dhe Serbia mbajnë përgjegjësi për mos përmbushjen e asaj që premtuan më shumë se një vit më parë.

Sipas tij, dialogu solli përmirësime në jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi duke paralajmëruar se takimet e reja mes palëve në procesin e dialogut do të vazhdojnë.

Ndryshe, Borrell do të largohet nga pozita e tij pas përfundimit të mandatit, ndërkohë që në vend të tij në samitin e mbajtur të enjten në Bruksel pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, u shpallën emrat që do të udhëheqin BE-në për pesë vjetët e ardhshëm.

Liderët e BE-së zgjodhën Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen presidente të Komisionit Evropian dhe kryeministren e Estonisë në largim Kaja Kallas përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Kallas, e cila do të shërbejë si përfaqësuese e lartë e BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë për pesë vjet, është gjithashtu kryeministrja e parë femër e Estonisë.

Vajza e ish-kryeministrit të Estonisë dhe komisionarit të BE-së, Siim Kallas, vendosi të ndiqte hapat e babait të saj duke lënë punën e saj si avokate dhe hyri në Parlamentin e Estonisë në vitin 2011 si anëtare e Partisë Reforma liberale. Ajo shërbeu në PE nga 2014 deri në 2018.

Kallas, përfaqësuesja e re e lartë e BE-së, është politikania e parë e Evropës Lindore që mban këtë post. Ajo do të jetë gjithashtu politikania e parë estoneze që do të mbajë një pozicion të lartë në administratën e BE-së.  Ajo do të shërbejë gjithashtu si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.


Shtuar 30.06.2024 18:51