Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Martin Nikollin dhe vëllain e tij, Alfred Nikolli. Të dy u arrestuan pas sherrit në Hamallaj me familjen Kaçi.
Gardisti Martin Nikolli u përjashtua nga radhët e Gardës, ndërsa është arrestuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Përveç Martin Nikollit u arrestua edhe vëllai i tij Alfred Nikolli, 46 vjeç, me 3 akuza “Kanosje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit lëshoi urdhër-mbrojtjeje për Pjetër Kaçin dhe djemtë, pas konfliktit që ata patën të dielën me gardistin Martin Nikolli dhe familjen e tij në Hamallaj.
Familjet Nikolli dhe Kaçi kanë qenë në konflikt prej kohësh për shkak të një rruge.
Martin Nikolli, i cili ishte punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla së bashku me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë dhe kanë dhunuar 80-vjeçarin Pjetër Kaçi, kryefamiljar i familjes Kaçi cili po kalonte në rrugën e lagjes.
Sipas dëshmisë së një prej anëtarëve të familjes Kaçi, Paulin Kaçi, ata u dhunuan me shkop bejsbolli, teksa shtoi se Nikolli qëlloi me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas bërjes publike të lajmit, ish-gardisti Nikolli u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla./albeu.com/