Dhunë ndaj fëmijes në kopsht, Bashkia e Elbasanit bën përgjegjës 5-vjeçarin

Bashkia e Elbasanit ia hedh fajin fëmijës 5 vjeç pasi u dhunua në një kopsht të qytetit nën administrimin e saj. Në një reagim për mediat pasi policia procedoi penalisht një edukatore për dhunë ndaj fëmijës, bashkia thotë se e di rastin që në fund të tetorit, ndërsa shton se fëmija, vetëm 5 vjeç, ishte i dhunshëm.

Rasti është bërë problem nga familjarët, të cilët kanë konstatuar se edukatorja i ka thënë fëmijëve të tjerë të kopshtit që të reagojnë fizikisht ndaj 5-vjeçarit pasi sipas saj ai kishte sjellje të dhunshme në klasë.

Reagimi i Bashkisë së Elbasanit

Lidhur me njoftimin e bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit për hetimin në gjendje të lirë të një edukatoreje në një nga kopshtet publike të qytetit bëjmë me dije se:
Rasti është referuar nga prindërit në 26 tetor pasdite, kur sipas tyre, fëmijët pretendojnë se edukatorja i ka nxitur të reagojnë ndaj 5-vjeçarit autik, i cili herë herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje të dhunshme. Menjëherë në datën 27 tetor (e premte) prindërit janë mbledhur nga drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit për të diskutuar rastin.
Menjëherë të hënën, në datë 30 tetor ndaj edukatores është marrë masa e pezullimit deri në zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur në kopsht.
Më pas një grup pune i përbërë nga psikologë, punonjës socialë, përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në bashki, sektori i mbrojtjes se fëmijëve, përfaqësues të ZVA dhe përfaqësues të policisë është ngritur për të hetuar rastin. Duke qenë se fëmija ka problematika të spektrit autik rasti kërkon kujdes të veçantë dhe mbikëqyrje të psikologëve.
Ndërkohë edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në sqarimin e situatës.

 


Shtuar 15.11.2023 12:09