Kuvendi i Kosovës ka pezulluar punimet për dy orë, pas dhunës që u zhvillua në sallën plenare ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kabinetit qeveritar.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se ajo çfarë ndodhi në Kuvend është e papranueshme dhe se organet e drejtësisë duhet të trajtojnë sipas legjislacionit këtë nëse ka pasur sulm fizik në Kuvend.
“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është vërtet e papranueshme. Përdorimi i dhunës në këtë mënyrë është i ndëshkueshëm dhe dënueshëm prej të gjithë neve. Prandaj konsideroj se për shkak kë kësaj rrëmuje që është krijuar qëllimshëm, përgjegjësia e organeve të rendit nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës ajo do të trajtohet prej ligjit. Ajo është pjesë tjetër që nuk na takon neve, por ajo ka ndodh vetëm brenda sallës së Kuvendit të Kosovës dhe gjithçka çka ndodh shqyrtohet me profesionalizëm prej anës së njerëzve përgjegjës”, tha ai.
Dhuna në Kuvend ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti.
Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu që i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “pinokio”.
Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pas kësaj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti.
Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një fasikell e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin. Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në dhunë.