Ditën e sotme, tre të rinjtë që u dhunuan në Malin e Zi, janë kthyer në Atdhe.
Sakaq, është zbardhur dëshmia e njërit prej të dhunuarve Klodian Meaj.
Meaj ka treguar detaje më shumë se si ka ndodhur ngjarja, duke rrëfyer se kanë pasur një flamur shqiptar në pasqyrën e automjetit, me të cilin po udhëtonin dhe dyshimet kryesore janë se dhunimi ndaj tyre prej shtetasve malazez, tashmë të identifikuar ka ardhur për shkak të atij flamuri.
“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin.
Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan.
Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare. Ne kemi dhënë deklarimet tona për policinë malazeze pasi nuk kishte asnjë arsye për të na dhunuar në atë mënyrë. Kemi marrë disa mjekime në një spital të Malit të Zi dhe pas deklarimeve kemi ardhur me dëshirë drejt Shqipërisë.
Unë dua të falënderoj shumë shtetin shqiptar. Kam një falënderim për ministrin e Brendshëm Taulant Balla i cili na ka mbështetur shumë. Po ashtu falënderoj Ambasadën shqiptare në Malin e Zi e cila na ka mbështetur në çdo moment, policinë shqiptare që na u gjend afër dhe na shoqëroi si dhe spitalin e Shkodrës për gatishmërinë. Ajo që ne kemi kërkuar është që të zbardhet ngjarja dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë”, ka dëshmuar Meaj.