DETAJET/ Vritet me armë zjarri 29-vjeçari në Tiranë, të rinjtë dyshohen se ishin të dehur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, 20 minuta pas mesnate në Tiranë.

Pas një sherri banal dhe në gjendje të dehur, mbeti I vdekur shtetasi Jurgen Duka, 29 vjeç.

Burimet bëjnë me dije se viktima ishte me precedentë penale të mëpërshëm në fushën e narkotikëve.

Si ndodhi sherri:

Mësohet se Duka dhe shoku i tij O.D., kanë hyrë në market dhe pas një debati, ka filluar një konflikt me një person tjetër të paidentifikuar ende.

Sherri ka agravuar dhe ky i fundit ka qëlluar Dukën me armë zjarri duke e lënë fillimisht të plagosur, ndërsa më pas 29-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës.

Njoftimi i Policisë:

Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën “Irfan Tomini”, shtetasi J.D. (M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar. Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi J. D. (M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi J. D. (M)., ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.

Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova  materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes. Janë marrë në pyetje shoku i shtetasit J. D. (M)., dhe persona të tjerë në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit./albeu.com/

 


Shtuar 14.12.2021 08:14