DETAJET/ Si u përfshi Mancini dhe Vialli te “Pandora Papers”

Në 12 milionë dokumentet e hetuara nga gazetarët lidhur me parajsat fiskale të krijuara nga 29 mijë shoqëri off-shore, kanë rezultuar edhe emra të famshëm të botës së futbollit.

Pas Guardiolës, Raiolas dhe Ancelottit, sot flitet edhe për dy emra të njohur dhe figura të futbollit europian, Roberto Mancini dhe Gianluca Vialli.

Që të dy rezultojnë të lidhur me kompani off-shore në Virgin Islands ku Mancini konsiderohet si pronar i kompanisë, Bastian Asset Holdings, kompani e cila kishte blerë në 2008 një avion privat me vlerë 7 mln Euro.

Një vit më pas, Mancini përfiton në Itali nga një ligj, si amnisti për të hyrë nën mbrojtje fiskale ku dhe pati angazhuar një avokat për mbyllur çështjet e aktiviteteve që mund të kishte jashtë Italisë. Lidhja e datave sipas shtypit italian përkon ndoshta me mbylljen e këtyre llogarive off-shore nga Mancini.

Ndërkohë Vialli, rezulton pronar i kompanisë Crewborn Holdings sipas dokumenteve e cila është mbyllur në 2017 dhe nuk kishte bilanc me shifra të mëdha. Por aty thuhet se kjo kompani investoi në fondin e famshëm BC Partners që në Janarin e kaluar tentoi të blinte aksionet e Interit dhe jo pa qëllim, ky fond kishte zgjedhur Viallin si ndërmjetës në Itali.

Sipas shtypit italian, Vialli ka pohuar se si shtetas britanik, ai ka regjistruar dhe ka deklaruar gjithçka në këtë shtet dhe se dëshiron të ketë privatësi për çështje të tilla.

Gjithsesi në vendin fqinj, përfshirja e këtyre emrave më shumë mund të ndikojë në qasjen publike të tyre, si pjesëtarë të kombëtares italiane pasi ligjërisht, këto çështje ata I kanë zgjidhur me kohë.

 

 

 


Shtuar 8.10.2021 13:59