DETAJET/ Mbrëmë i zbrazën karikatorin, Pllanaj transportohet drejt “Traumës”: Se di pse më ndodhi!

Kanë dalë të tjera detaje nga plagosja e mbrëmjes së djeshme në Dobraç të Shkodrës të 60-vjeçarit Dedë Pllanaj.

Mësohet se 60 vjeçari është dërguar drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar për shkak të plagëve të rënda që ka në trup, pavarësisht se mjekët thanë se momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dedë Plani mësohet se ka tre plumba në krahë, dhe një plumb në brinjë, pjesën e legenit dhe në këmbë.

Ai u plagos teksa ndodhej në punë duke bërë roje pranë një karburanti në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik, pas rotondos së Dobraçit.

Papritur një person me motor është afruar, është ulur dhe ka qëlluar në drejtim të 60 vjeçarit 8 herë me pistoletë duke e lënë të plagosur.

Gjashtë prej plumbave kanë përfunduar në trupin e të plagosurit. Menjëherë pasi e ka qëlluar autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë, duke vijuar rrugën nga Shkodra në drejtim të Koplikut.

Ndërkohë policia ka siguruar pamjet e disa kamerave të sigurisë në atë aks rrugor dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.

“Po qëndroja ulur tek puna në karburant,në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pash dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen”, ka thënë Pllanaj teksa është pyetur.

Kujtojmë se Pllanaj është djali i xhaxhait i Bardhok Planit që u vra në një atentat mafioz në prillin e vitit të kaluar./albeu.com/