DETAJET/ Dy truprojat e Saimir Tahirit kishin parcelat e tyre me kanabis në këtë zonë në Shqipëri

Detaje të reja janë zbuluar nga aksioni “Shpirti” ku zbulohet se dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit Saimir Tahiri, Agustin Deda dhe Hekuran Marku, ishin personat kryesorë që kanë organizuar kultivimin dhe më pas trafikimin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë.

Të penduarit e drejtësisë kanë rrëfyer në prokurori se në një rast në një zonë të pyllëzuar në Tepelenë Deda dhe Marku kanë patur një parcelë që e kishin kultivuar me hashash, të cilën e menaxhonte një i ri, i cili i ishte “profesionist”, në kultivimin e bimës narkotike, ndërsa punëtorët i paguanin nga 15 deri në 20 euro në ditë.

Madje të penduarit kanë shtuar se në një rast dy ish-shoqëruesit, Deda e Marku kanë qenë vetë prezent në ngarkimin e drogës në gomone, ku kanë qenë të pajisur edhe me radio si ato të policisë dhe pistoleta.

“Marku e Deda komunikonin me kolegët e tyre për t’i “hapur” rrugën që dërgesa të mbërrinte në destinacion. Dy furgona janë mbushur me kanabis në Tiranë dhe janë dërguar drejt Vlorës, për t’u ngarkuar në gomone me qëllim trafikimin drejt Italisë,”- tregon një prej të penduarve.

“Në një rast mbushëm një ngarkesë në zonën e Tepelenës. Rrugës konstatuam një patrullë policie lokale, dhe aty devijuam. Lajmëruam Agustinin, ndërsa ky i fundit na tha që të qetësoheshim, pasi policia nuk ka pasur sinjalizime për ndonje rast trafiku,”- rrëfen i penduari tjetër.

Deda dhe Marku janë vetë dy nga 38 emrat për të cilët u prenë fletë-arrestet në kuadër të operacionit “Shpirti”, i nisur që nga viti 2017 dhe akuzohen për trafik të narkotikëve.