Detaje të reja nga droga e sekuestruar në Durrës, skaneri dha alarmin e kuq

Detaje të reja dalin në dritë për sa i përket sasisë prej 7 kg kokinë që u kap të premten në portin e Durrësit. Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se gjatë kontrollit të disa kontenierëve që janë të vlerësuara me risk nga autoritetet ishin lënë veç për një kontroll më të imtësishëm.

Autoritetet pasi i kanë kaluar në skaner kanë rezultuar me të kuqe 6 prej tyre. Menjëherë punonjësit e portit në bashkëpunim me policinë kanë thirrur përgjegjësit e kontenierëve që i kanë hapur duke rezultuar se në konteinerin me prodhime deti të porositur nga kompania “Fish Co” u gjetën 7 kilogramë kokainë të ndarë në disa pako dhe të mbështjella me natriban.

Po i njëjti burim, thekson për Klan se lëndës narkotike i ishte vendosur GPS nga ata që e posedonin në mënyrë që të kishin informacion të detajuar në lidhje me vendodhjen e saj.

Burime nga hetuesit e Durrësit theksojnë se kokaina u zbulua nga skaneri dhe se nuk kanë pasur informacion nga autoritetet e huaja. Për 7 kg kokainë është vënë në pranga administratori Denis Doda. 35-vjeçari ka mohuar që të jetë i përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike.

“Nuk kam dijeni për trafikun e drogës. Prej vitesh ushtroj aktivitetin e transportit të prodhimeve të detit nga Ekuadori në drejtim të Tiranës. Kompania ime nuk është e implikuar në asnjë transport të paligjshëm. Nuk mbajmë përgjegjësi për atë çfarë gjendet në strukturën e konteinerit. Ai nuk është i joni, por vetëm mjet transporti për mallrat që ne porosisim”.

Droga u sekuestrua në pjesën e kapakëve të ventilimit. Gjatë muajt Korrik janë sekuestruar disa herë lëndë narkotike e ndarë në sasi të vogla por që vinin për llogari të kompanive të cilat kishin porositur fruta nga Amerika Latine.


Shtuar 7.08.2021 20:45