Detaje të reja: Dy ditë para ekzekutimit të Endri Mustafës, Ibrahim Lici aplikoi për pasaportë

Një grup oficerësh të krimeve të rëndë, kanë shkuar në bashkinë e Shkodrës, nga ku rezulton se kanë marë pamjet filmike të kamerave të kësaj bashkie.

Grupi i oficerëve mësohet se ka shkuar në bashki, në datën 13 maj 2021, vetëm një ditë pasi, Ibrahim Lici, ishte paraqitur në ambjentet e bashkisë, duke aplikuar për një pasaportë të re.

Lici, prej 17 Prillit, kishte dalë nga kërkimi policor dhe me sa duket ka ndjerë nevojën e një pasaporte të re.

“Ora News”, mëson se Lici është paraqitur paraditën e të mërkurës, në datën 12 Maj, duke dhënë të dhënat personale, pranë shoqërisë “SAGEM” të pasaportave. Silueta e Ibrahim Licit, brenda ambjenteve të bashkisë së Shkodrës, është filmuar nga disa kamera të instaluara në mure, filmime të cilat tashmë janë marë nga policia e Shkodrës. Këto filmime janë administruar dy ditë para se të zhdukej, Endri Mustafa, në datën 15 Maj 2021 në zonën e Livadhes në Shkodrës. Për zhdukjen dhe më pas vrasjen e Mustafës, 15-vjeçari Ergys Malja, ka deklaruar në policinë e Shkodrës se autor është, Ibrahim Lici.

Oficerët e hetimit të krimeve në Shkodër mësohet se kanë marë pamjet filmike të bashkisë, të cilat i kishin sekuestruar qysh prej datës 13 Maj dhe ja kanë vënë në dispozicion 15-vjeçarit E.M për të identifikuar autorin.

Ka rezultuar se adoleshenti pasi ka parë këto pamje filmike, ka treguar se ai ishte Ibrahim Lici, njeriu që akuzohet se ka ekzekutuar me 7 plumba komshiun e tij, Endri Mustafa.

15-vjeçari mësohet të ketë dhënë tre deklarime rresht para punonjësve të policisë së Shkodrës. Ndërkohë mbetet e paqartë se si ka mundur të shpëtojë 15-vjeçari nga mundësia e vrasjes prej Ibrahim Licit.

Në këtë vrasje adoleshenti ka shërbyer si personi që ka nxjerë nga shtëpia, Endri Mustafën, duke i nisur në telefon këtij të fundit një foto me kalë, çka nën kuptonte se babai i tre fëmijëve duhet të dilte nga banesa.

Megjithë kundërshtimin e nënës dhe gruas së tij, Endri Mustafa, ka vendosur të dalë nga banesa në 15 Maj në orën 22:00, me qëllimin për të shkuar së bashku me adoleshentin në një gastër tokë ku ai kishte mbjellë 150 rrënjë kanabis stativa.

Por që prej atij momenti, Endri Mustafa, nuk është kthyer më në banesën e tij në lagjen “Guerrile”. Vetëm në mëngjesin e 17 Majit, trupi i pajetë i Mustafës është gjendur prapa një ferre në zonën e Livadhes. Tek trupi i pajetë policinë e ka çuar Ergys Malja, ndërkohë çuditërisht në zonën e Livadhes, policia nuk ka gjetur gjatë kontrolleve, gastrën me 150 rrënjë kanabis./ ORA NEWS

Shtuar 25.05.2021 12:05