DETAJE/ Policia shoqëron 15 persona për vrasjen e biznesmenit në Fier, si u qëllua me 18 plumba

Mbrëmjen e së shtunës, në Fier, u vra biznesmeni Demir Backa, nga disa persona që qëlluan nga makina në lëvizje.

Burime bëjnë me dije se Backa u qëllua me breshëri kallashnikovi duke marrë 18 plumba, 1 në kokë, 3 në zonën e qafës dhe 15 në kraharor.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka shoqëruar në komisariat 15 persona të cilët janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar për atë çfarë kanë parë.

Kujtojmë se disa minuta pas ngjarjes u gjet një makinë e djegur pranë Bypassit që dyshohet të jetë e autorëve të vrasjes. Makina kishte targa të Kosovës dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar nëse janë të vjedhura.

Kush është Demir Backa?

Backa me origjinë nga Kosova e banim të hershëm në Fier janë mjaft të fuqishëm ekonomikisht në këtë qytet, të konsideruara ndër tre familjet më të pasura. Një vit më parë ka ndodhur një sherr me pasoja mes anëtarëve të këtij fisi dhe disa personave nga Tirana, për shkak se njëri nga këta të fundit kishte ngacmuar një mbesë të Backajve.

Familjarë shumë të afërt të 57 vjeçarit janë njohur si anëtarë të bandave të 1997 në Fier ku ka pasur edhe viktima në radhët e tyre, përfshirë vëllain e Demirit. Demir Baçka njihej në Fier gjerësisht për shkak të historive nga e kaluara por edhe bizneseve të tij të cilat shtriheshin deri në zonat bregdetare në jug të vendit.

Demir Baçka është vëllai i një prej 24 viktimave të masakrës së njohur të Levanit ndodhur në vitin 1997. Medi Aziz Backa njohur nga rrethi i tij si Buç Backa humbi jetën në përballje të armatosur për disa orë me radhë me bandën e romëve./albeu.com

 


Shtuar 25.10.2021 11:22