DETAJE/ Kokaina prej 143 kg, porosi e tre grupeve të fuqishme kriminale në Shqipëri

Në këtë konkluzion ka dalë grupi i hetimit i ngritur për të zbardhur këtë rrjet të trafikimit ndërkombëtar të drogërave të forta nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Mësohet se 200 pakot me kokainë kishin shënime të ndryshme dhe të stampuara fotografinë e një prej trafikantëve më famëkeq të botës, Pablo Eskobar. Pakot, të mbështjella me natriban kaf dhe të zi, kishin shënimet “El mejor” (më e mira) dhe “Viejon” (i moshuari). “Bazuar nga mbishkrimet, kemi bindjen se dërguesi ua ka ndarë mallin porositësve që në nisje, në mënyrë që secili të merrte cilësinë dhe peshën që kishte porositur. Në mendojmë se malli ishte porositur nga tre grupe të ndryshme kriminale dhe droga pa diskutim ishte e cilësisë së parë”, thanë burime nga grupi hetimit për gazetën “Panorama.al”.

Sinjalizimi për lëndën narkotike që pritej të mbërrinte në vendin tonë e kanë dhënë agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit. Autoritetet shqiptare kishin rreth dy javë që kishin marrë këtë informacion ndaj edhe ishin në pritje të kontejnerit që mbërriti në Portin e Durrësit ditën e premte, me datë 9 prill. Agjentët e Antidrogës ishin duke e mbajtur në vëzhgim kontejnerin që ishte nisur në fillim të marsit nga porti Guayaquil në Ekuador, ndaj për këtë arsye ngarkesa nuk është kontrolluar në Kalabri dhe Pire, por në prezencë të njërit prej administratorëve në Durrës. Me të mbërritur në Portin e Durrësit kontejneri u kalua në skaner. Nga imazhet u dallua se në një zonë të tavanit të kontejnerit kishte diçka që nuk ishte as struktura e tij metalike dhe as ngarkesa e porositur me banane nga kompania “Masabi Fruits”, duke konfirmuar kështu dyshimet e agjentëve. Menjëherë kontejneri u veçua dhe u lajmëruan dy administratorët: Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti dhe në prani të tyre nisi kontrolli brenda në kontejner. Aty u gjetën 200 pako të mbështjella me natriban kaf e të zi, brenda të cilave rezultoi se ndodhej 143 kg kokainë e pastër.

Katër anije dhe katër porte të ndryshme ka përshkuar kontejneri para se të mbërrinte në destinacionin final, portin e Durrësit. Burime nga Policia thanë se lënda narkotike ishte nisur në ditët e para të muajit mars nga Guayaquil në Ekuador. Kontejneri është ngarkuar fillimisht në anijen e transporti me emrin “MSC Mirrella”, e cila e ka shkarkuar në portin Rodman të Panamasë. Në portin e Rodman konteineri ka qëndruar pak më shumë se 24 orë dhe është zhvendosur nga anija “MSC Mirrella” në anijen “MSC Naomi” dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar transit në portin e “GIOIA TAURO”, në Kalabri. Në portin e “GIOIA TAURO”, në Kalabri, kontejneri ka pasur edhe ndalesën më të gjatë, për më shumë se një javë dhe në fund të muajit mars është nisur me një tjetër anije “CONTSHIP” drejt portit të Pireut në Greqi. Në Greqi ka ndërruar sërish anijen, nga “CONTSHIP” në “DANCE”, me të cilën mbërriti në Portin e Durrësit.


Shtuar 12.04.2021 14:34