Dështimi i pajisjeve për votimin elektronik, Celibashi: Do kërkojmë ekspertë të jashtëm

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, foli në lidhje me problemet që kishin pajisjet e votimit elektronik, që u aplikua për herë të parë në zgjedhjet lokale në 3 bashki, Vorë, Kamzë dhe Elbasan.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi tha se po pritet dorëzimi i bazës materiale, ndërsa paralajmëroi se për vlerësimin teknik të pajisjeve do kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të huaj.

“Akoma pajisjet nuk kanë mbërritur në KQZ. Po presim dorëzimin e bazës dhe materialeve zgjedhore. Me siguri do kërkojmë edhe ekspertë të jashtëm të përfshihen në procesin e vlerësimit teknik të pajisjeve.
Eksperiencat e vendeve të tjera kanë treguar, dështime në implementimin e teknologjisë së informacionit dhe procesi nuk ka pasur këtë kontest që ka pasur këtu”, tha ai.

Ai komentoi edhe videon e shpërndarë në rrjet, ku duket keqpërdorimi i pajisjeve për votimin elektronik, të cilat i quajti pamje irrituese dhe se KQZ për çdo hap të procesit që nuk ka shkuar mirë do ketë qëndrimet e veta.

“I keqardhur dhe i inatosur kur i kam parë ato pamje, ma dërguan para se të dilnin në rrjetet sociale. Janë punëtorë të rekrutuar gjatë kësaj kohë, nuk e them për justifikim.
Pamje shumë irrituese. Do ishte e tepërt dhe e panevojshme të them që KQZ për çdo hap të procesit që nuk ka shkuar mirë do ketë qëndrimet e veta. Nuk është cinizëm të them që ai gjest të errësojë e të eklipsojë përpjekjen e ndershme e korrekte të këtij institucioni. Veprim i dënueshëm edhe në pikëpamje administrative”, tha ai.

 


Shtuar 16.05.2023 18:37