Dëshmia e skafistëve që fundosën dy ish-truprojat e Tahirit: Dolëm nga burgu, djali im i dha Mandit 6 mijë euro

Skafistët Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini, që mbajnë statusin e të penduarit të drejtësisë rrëfimet e të cilëve fundosën zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe policisë, përfshirë dhe dy ish-pjesëtarët e grupit të shoqërimit të Ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, thonë se kanë patur mbështetje të fortë në policinë e Durrësit dhe e kryenin të qetë aktivitetin e tyre të trafikut të drogës.

Nga dosja hetimore e SPAK, e publikuar nga gazetarja Klodiana Lala, rezulton se pasi kanë trafikuar një sasi të madhe hashashi, skafistët janë kthyer në Shqipëri dhe janë ndaluar pasi kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, por me ndërhyrjen e Sajmir Kurtit, drejtor në Bashkinë e Kavajës, janë lënë të lirë.

“Me informuan se nga porti i Durrësit, më nxori Saimir Kurti,” -shpjegon skafisti. Seferi implikon policinë, kur deklaron se zyrtarët e saj kishin dijeni për përfshirjen e tij në trafik droge.

“Policia e Kavajës ishte në dijeni për një udhëtim me drogë të bërë nga unë për në Itali, bashkë me Ajdinin. Më lanë të lirë, pasi djali im pagoi 6 mijë euro dhe ia dorëzoi personalisht kreut të Antikrimit Kavajë, që mesa mbaj mend quhet Mandi, ndërkohë që unë duhet të isha arrestuar për atë që kisha bërë. Policia e Kavajës ishte nën këmbët e Saimir Kurtit”, -e mbyll dëshminë skafisti i penduari. Ai thotë më tej, se njëri nga zyrtarët e policisë qe e mori në pyetje, nuk i mori më para, por i kërkoi që të bënin trafik bashkë, gjë që nuk mundën të realizonin.

Dëshmitë e tyre fundosën dhe dy ish truprojat e Tahirit, pasi ata iu dhanë hetuesve fakte sipas të cilëve Agustin Deda dhe Hekuran Marku kishin trafikuar mbi 1 mijë kg hashash nga Shqipëria drejt Italisë.

Elton Hamzai, është një tjetër i penduar i drejtësisë që rrëfeu për Antimafian Italiane, se grupi kriminal që ku ai bënte pjesë kishte marrë garanci nga policia lokale për të kultivuar dhe trafikuar drogë drejt Barit.


Shtuar 3.07.2021 19:08