Një dosje e rëndë që flet për një grabitje të pastër të pronës publike, në zemër të qytetit të Sarandës, vijon të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e Prokurorisë së këtij qyteti prej më shumë se pesë vitesh.
Ndërkohë që autorët e saj shëtisin të lirë dhe figurat kyçe të përfshira në këtë aferë mbrohen nga një mur i trashë heshtjeje dhe korrupsioni.
Në qendër të kësaj skeme të falsifikimit dhe përvetësimit të një prone publike ndodhen tre emra: Sevo Qurku, Andrea Qurku dhe Sali Çapari, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore dhe përmes dokumenteve të falsifikuara, kanë përfituar një pasuri të paluajtshme me vendndodhje strategjike në qendër të Sarandës.
Sevo dhe Andrea Qurku janë vëllezër dhe njëherësh të afërm të Termet Peçit, ish-kryetar i Bashkisë së Tepelenës dhe kandidat për deputet. Lidhjet e tyre familjare dhe politike dyshohet se kanë shërbyer si “garanci” për mbylljen dhe zvarritjen e këtij procesi penal.
Një tjetër figurë qendrore në këtë skemë është Ardi Kola, ish-drejtor i ASHK Sarandë (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), i cili ka firmosur dhe legalizuar dokumentet e falsifikuara që i hapën rrugën regjistrimit të pronës publike në emër të qytetarëve privatë.
Për një periudhë të shkurtër, Ardi Kola është shpallur në kërkim me vendim gjykate, por në mënyrë të pashpjegueshme dhe të dyshimtë, dosja ndaj tij është arkivuar pa asnjë hetim të thelluar, duke ngritur dyshime serioze për ndërhyrje të forta politike dhe financiare.
Më skandaloz se vjedhja vetë është mënyra se si Prokuroria e Sarandës ka heshtur përballë këtij krimi të dokumentuar. Dosja ndodhet në duart e prokurores Valbona Maja, e cila për më shumë se pesë vite nuk ka marrë asnjë masë ligjore, as për sekuestrim prone, as për arrest, dhe as për dërgim në gjykatë.
Burime pranë institucioneve të drejtësisë kanë deklaruar se ekziston dyshimi i fortë se prokurorja Maja është “blerë” nga personat në fjalë, për të mos vijuar hetimet dhe për të mbyllur gojën e Prokurorisë në këtë çështje.