Denoncimi për kokainën doli i vërtetë, Hoxha: Të hapen të 15 kontejnerët në Durrës

Janë sekuestruar ditën e sotme në portin e Durrësit një sasi tjetër kokaine. Bëhet fjalë për 6.5 kg kokainë e fshehur në një kontejner që vinte për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Kësaj kompanie rreth 10 ditë më parë ju sekuestrua një tjetër sasi kokaine prej 11kg e 675 gram.

Kujtojmë se vetëm një javë më parë gazetari investigativ Artan Hoxha denoncoi dëmtimin e njërit prej kontejnerëve në portin e Durrësit që i përkiste pikërisht kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Gazetari zbuloi në ABC se një kontejner i mbërritur po në këtë rrugë me banane është konstatuar i dëmtuar në pjesën frigoriferike. Dëmtimi është zbuluar nga kompania që merret me mbikëqyrjen. Lidhur me këtë rast, dyshohet se një sasi kokaine mund të jetë nxjerrë nga ajo pjesë e kontejnerit.

Së fundmi gazetari Hoxha, bën të ditur për Abcnews.al, se për llogari të “Alba Exotic Fruit“, kanë mbërritur 15 kontejnerë. Hoxha ka thënë se pasi u kap sasia prej 11.6 kg kokainë, skanerat kontrolluan 7 kontejnerë nga 15 të kësaj kompania, por kontrolli nuk vijoi për të gjithë. Ai raporton se kontejneri që denoncoi si të dëmtuar dhe prej tij mund të jetë nxjerrë një sasi kokaine, i përkiste 8 kontejnerëve që nuk u futën për kontroll në skaner.

Ndërkohë sipas Hoxhës sot ka kaluar në skaner kontejneri i radhës, dhe pikërisht sapo ka hyrë është zbuluar sasia e radhës prej 6.5 kg kokainë. Hoxha shton se autoritetet portuale në Durrës duhet të ushtronin kontroll në të 15 kontejnerët për llogari të kësaj kompania duke llogaritur riskun. Sipas tij kontejnerët rrinë për disa ditë në port, deri në momentin që paraqitet kompania për t’i tërhequr. Por gjatë kohës së pritjes, kontejnerët nuk futen në skaner dhe rrezikon që droga brenda tyre të nxirret siç ndodhi me kontejnerit e denoncuar nga vetë gazetari Hoxha.

Sipas policisë deri më tani janë kontrolluar 10 kontejnerë të kësaj kompanie, ndërsa mbetet ende pa kontroll me skaner 5 të tjerë, që mund të kenë sasi të tjera kokaine.

Kujtojmë se lidhur me këtë operacion prapa hekurave është vendosur Bajron Gumeni, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë Eduart Dauti. Po ashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës, Jurgen Osman. Sipas informacioneve, ngarkesa ishte nisur më 8 korrik nga porti i Pireut dhe ka mbërritur në Porin e Durrësit në 11 korrik. Ngarkesa me banane vinte nga Ekuadori.

Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë për dosjen hetimore të kokainës që u kap në Portin e Durrës disa ditë më parë. Dosja hetimore për 11.6 kg kokainë që u kapën në një kontejner me banane në Portin e Durrësit i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Njoftimi i policisë:

 

Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.

Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.

Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.  /abc/


Shtuar 23.07.2021 22:48