DENONCIMI/ Djali i kandidatit të PS në Has kapet duke ngarkuar furgonin me pako: Po përgatiten për blerje votash (VIDEO)

Djali i kandidatit të Partisë Socialiste në Has është filmuar nga një banor i zonës duke ngarkuar disa kuti në një makinë gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.

Mendohet se kutitë ishin me ushqime dhe sipas denoncuesve, do t’i shpërndaheshin banorëve te zonës në këmbim të votës.

Denoncimi është bërë nga vetë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti.

Dauti tha se ai me mbështetës kishin ndaluar furgonin me targa AB 333 EC që drejtohej nga djali i kandidatit socialist.

“Ky është automjet i bllokuar. Aty ka pako të dyshimta. Është automjeti i djalit të kandidatit për kryetar bashkie të PS, djalit të Halit Mulës. Isha duke kaluar rrugës, e pashë te shkolla. 2 djemtë e tij po e mbushnin me pako. Janë pako kartoni, se çfarë ka në to nuk e di, mund të ketë edhe lekë që po shpërndajnë për blerje votash. Gjoja japin ndihma, oriz e makarona. Është manipulim, po tentojnë në çdo lloj forme të blejnë votat. Ne do i mbrojmë votat e votuesve hasjanë. Në momentin që e kam konstatuar mjetin, kam shkuar e kam bërë videon. Ajo është e qartë, janë 2 djemtë e kryetarit të Bashkisë, po e mbushnin me pako, njoftova shefin e komisariatit. I kërkova të ndalojë mjetin. Ne me njerëzit tonë nuk e lejuam mjetin të largohet. Kështu që i kërkojmë policisë të thirrë personin të vijë të hapë furgonin e të shohim pakot çfarë materialesh kanë. Erdhi policia, donin të merrnin furgonin e ta çonin në polici, nuk e kemi lejuar”, tha Dauti.  

Në video shihet se pakot nxirren nga një insitucion arsimor (shkollë) dhe më pas ngarkohen në makinë.

Mbetet ende e paqartë se çfarë ka në kuti, dhe se pse pikërisht po nxirren nga një institucion arsimor. Denoncuesi thotë se do e referojë rastin në Prokurori.

Nga ana tjetër, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj shprehet se mbrëmjen e djeshme duke qenë edhe nata e shenjtë e ‘Kadrit’ janë shpërndarë pako të cilat jepen tradicionalisht çdo vit për këtë mbrëmje të shenjtë për besimtarët muslimanë, megjithëse na ambalazhin e pakove shkruhej se janë “rezervat e shtetit”. Ai akuzon rivalin e tij se po e përdor ngjarjen politikisht.

Reagimi i plotë:

Në këtë natë KADRI dua të shpreh gjithë keqardhjen Time, gjithë neverinë dhe indinjaten jo vetëm Timen, ndaj rivalit tim, që disa pako tradicionalisht të përvitshme në këtë natë të bekuar jepen, po e ekzagjeron si blerje votash.
Më vjen turp dhe u them sinqerisht se, nuk arrij ta kuptoj gjjthë këtë egzagjërim!! E vetmja gjë që po kuptoj në gjithë këtë histori, është se, rivali im po tregohet shum i vogël, gjë që unë nuk e dija që është në këtë nivel!! Të dashur miqtë e mi, nuk dua të merrem me vogëlsira, ua lë në dorë Ju të dashur Hasian, ta refuzoni masivisht këtë vogëlsirë më 14 maj, Duke u kërkuar ndjesë për këtë reagim të detyruar nga sjellja negative e rivalit. Uroj vetëm gëzime në familjet Tuaja..!!

/Albeu.com/


Shtuar 18.04.2023 12:57