Dënimi për shpifje i përfaqësuesve në KQZ, PD sulmon gjyqtarin Bedri Qori: Je i përfshirë në trafik droge

Partia Demokratike ka sulmuar ditën e sotme gjyqtarin Bedri Qori.

Sipas asaj që pretendon PD, Qori ka qenë i përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.

Deklaratë e Partisë Demokratike:

Gjyqtarët e korruptuar, si Bedri Qori, i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të perfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e  zgjedhjeve.

Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që  denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore. Vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.

Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën.

Shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike që të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të  Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave.

Veglat e Edi Ramës në Gjykatë dhe në Polici nuk mund të shuajnë zërin e përfaqësuesve të PD kundër çdo akti kriminal dhe çdo vendimi korruptiv që minon demokracinë./albeu.com/


Shtuar 8.11.2021 16:45