Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar vendimin e Gjykatës së Hagës, që shpalli fajtor ish-krerët e UÇK-së dhe i dënoi ata me 81 vite burg.
Në nisje të fjalës së tij para Grupit Parlamentar, Berisha tha se, “qëllimi i UÇK-së dhe krerëve të saj ka qenë që të çlironin Kosovën”.
Të lidhura
None found
Berisha shprehu besimin se Apeli do të bëjë drejtësi dhe do shkëputet nga propaganda serbe. Po ashtu Kreu i PD i bëri thirrje shqiptarëve kudo që janë për qetësi dhe vetëpërmbajtje.
“Le të shprehim ne shpresën dhe besimin se Apeli do të bëjë drejtësi dhe do shkëputet nga propagandë serbe dhe dënojmë me forcën më të madhe ndërhyrjet e Beogradit dhe të tjerëve që janë bërë në këtë gjykatë”, tha kreu i PD.
Berisha tha më tej se dënimet ishin tërësisht të pamerituara dhe se ish krerët e UCK duhet të shpalleshin të pafajshëm.
“Sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, tha kreu i PD.
