Demokrati paralajmëron “luftë” në Kuvend: Do bëjmë gjithçka që Rama të mërzitet!

Skena politike nuk ndryshoi, por fusha e shahut në Parlament po. Socialistët në vjeshtë pritet të kenë përballë opozitën tradicionale.”Do bëj gjithçka që kryeministri të mërzitet”, thotë deputeti i zgjedhur Agron Gjekmarkaj në një intervistë për Top Channel.

Ujërat pritet të trazohen jo vetëm në debatin parlamentar. Mendim ndryshe do të ketë edhe në mbledhjet e selisë blu. Sinjalet i dhanë dy akademikët e listës së Lezhës Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilet i kërkuan Lulzim Bashës që të ndërthurë aksionin brenda dhe jashtë dyerve të Parlamentit me protesta.

“Në mënyrë që këto të jenë vërtet të kombinuara të jenë bindëse por mendoj se shumë shpejt demokratët dhe qytetarët do të jenë kudo për tu përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona. Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh.”

Pas humbjeve zërat që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës janë shtuar. Por Agron Gjekmarkaj nuk sheh vend për dorëheqje të lidershipit për sa kohë humbja sipas tij e kishte shkakun përtej gardhit të selisë blu.

“Këto zgjedhje nuk janë fituar se janë vjedhur. A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike më saktë inxhinjerike fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë tek të gjithë. Por nuk mendoj se lidershipi i Zotit Basha vihet në diskutim. Tani nuk është koha të mos krijojë probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen. Sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike”

Demokratët po përgatiten për betejën e parë ligjore me socialistët në organin ankimor te KQZ për këtë arsye po mbledhin provat për të faktuar manipulimin e zgjedhjeve ./Top Channel


Shtuar 5.05.2021 16:47