Dëmet nga uragani Ian, Biden miraton fondin për Floridan

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka miratuar fondet federale për fatkeqësitë në nëntë qarqe të Floridës pas uraganit Ian. Përmes një deklarate publike, Shtëpia e Bardhë njofton se vendimi i Biden lejon aksesin në grantet federale për të ndihmuar banorët e prekur dhe pronarët e bizneseve të sigurojnë strehim të përkohshëm, të riparojnë shtëpitë, të marrin kredi me kosto të ulët për humbjet e pronave të pasiguruara dhe në përgjithësi të shërohen nga efektet e katastrofës, raporton whitehouse.gov.

Në njoftim thuhej: “Veprimi i Presidentit vë në dispozicion fondet federale për individët e prekur në qarqet e Charlotte, Collier, DeSoto, Hardee, Hillsborough, Lee, Manatee, Pinellas dhe Sarasota. Ndihma mund të përfshijë grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pasiguruara të pronave dhe programe të tjera për të ndihmuar individët dhe pronarët e bizneseve të rikuperohen nga efektet e fatkeqësisë”.

Më shumë zona mund të miratohen më vonë pasi zyrtarët vlerësojnë dëmet pas stuhisë. Gjithashtu në deklaratë thuhej: “Vlerësimet e dëmeve janë duke vazhduar në zona të tjera dhe zona shtesë mund të caktohen për ndihmë pasi vlerësimet të jenë përfunduar plotësisht”.

Biden do të vizitojë selinë e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Uashington më vonë të enjten për një informim mbi stuhinë.