Del Piero komenton situatën e vështirë të Juventusit (VIDEO)

Alessandro Del Piero e ka analizuar situatën te Juventusi dhe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e unitetit dhe përqendrimit pas rezultatit jo të mirë ndaj Beneventos.

Pas humbjes së të dielës, janë zbehur shumë gjasat që Zonja e Vjetër ta mbrojë titullin e Serie A, pasi Interi ndodhet 10 pikë përpara.

“Shumë gjëra po shkojnë keq… Mungesa e përqendrimit ose paqartësia në kokë se si duhet të veprosh dhe si duhet të përballesh me gjëra të ndryshme, është shqetësuese”.

“Po ashtu, edhe rezultati është shqetësues”, ka thënë legjenda Del Piero për ESPN duke përmendur se gabime të njëjta janë bërë edhe në kampionat edhe në Ligën e Kampionëve.

“Ajo që po ndodh tash te Juve, është shumë konfuzion. Kur i shikon duke luajtur, nuk duket se janë të bashkuar në atë që po bëjnë. Të gjithë e japin maksimumin, sepse Juventusit ë shtyn ta bësh atë, mirëpo ata janë të shkëputur”.

“Nuk mund ta konsideroni Cristiano Ronaldon si problem. E përqafuar atë para tri vitesh, prandaj vazhdoni ta mbështetni. Ai është njëri nga më të mirët në botë, me (Lionel) Messin…”.

“Është një njeri i shkëlqyer, është dikush që shënon secilën ndeshje. Për këtë arsye e sollën Ronaldon që ai të shënonte secilën ndeshje dhe t’ua sillte Ligën e Kampionëve. Fatkeqësisht, Liga e Kampionëve është situata ku Juve është më së keqi aktualisht”.

“Ajo që ka ndodhur në tre vitet e fundit, është se nga (Massimiliano) Allegri e ndryshuan tërësisht idenë e futbollit me (Maurizio) Sarrin, për një vit. Pastaj ndryshuan sërish, me një njeri të mrekullueshëm, është bashkëlojtari im dhe padyshim që e dua, por është i ri në këtë punë dhe ka sfida të tjera”.

“Në rregull, klubi është shumë i fortë, por me të gjitha këto gjëra të kombinuara, nuk po funksionon mirë aktualisht”, ka thënë ish-kapiteni i Bianconerëve duke shtuar se megjithatë, Andrea Pirlo ka nevojë për mbështetje.

“Juve vendosi të vazhdonte me Pirlon këtë verë, për një projekt. Shohim shumë projekte që vazhdojnë të ndiqen përkundër sezoneve të pasuksesshme. Por, po ashtu shohim ndërprerjen e projekteve porsa del një problem, një problem i madh. Ata po i japin shumë mbështetje, sepse i kërkuan të bënte një punë, ku u angazhua nga asgjë drejt në postin e kryetrajnerit”.

“Prandaj, duhet shumë mbështetje. Pra, ajo që po ndodh tash është se e ka gjithë mbështetjen edhe për vitin e ardhshme. Por, sërish, pritet të shohim nëse do të zënë ose jo njërin prej vendeve që dërgon në Ligën e Kampionëve”, ka theksuar Del Piero.

 

 


Shtuar 22.03.2021 20:46