Del fotoja e Alqi Bllakos e kapur nga vrima e çelësit (FOTO LAJM)

Alqi Bllako është njohur sot me masën e sigurisë arrest me burg në Gjykatën e Posaçme  (GJKKO).

Në seancë ka qenë i pranishëm dhe ish-deputeti që akuzohet për përfshirje në aferën e inceneratorëve.

Foton e tij, gazetarët e kanë kapur nga vrima e çelësit të derës së sallës ku po zhvillohej seanca. Të paktën, kështu thotë gazetarja Klodiana Lala.

“U lodh e shkreta polici ta fshihte, por NE e filmuan ne vrimen e celesit!”, shkruan ajo.

Faktet që dëshmojnë kundër ish deputetit

Ligjvënësi që u dorëhoq dhe tashmë është i arrestuar, Alqi Bllako, do të përballet me drejtësinë për akuzat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, që bazuar në hetimet e SPAK-ut, e implikojnë atë si të dyshuar në aferën e inceneratorit të Fierit.

Po në dosjen hetimore, del se deputeti ka kryer udhëtim me avion drejt Italisë së bashku me Klodian Zoton, ish-administratorin e inceneratorit të Fierit.

Ndaj të dyshuarit janë dy pozicionet e detyrave që mbajti, njëra prej tyre, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Lefter Koka, tashmë nën dy masa arresti për këto afera dhe tjetra, kur drejtonte AKUM-në, ku sërish dyshohet se ka firmosur gjatë kësaj kohe për çështje që e lidhin me Fierin.

SPAK-u këmbëngul se Alqi Bllako, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka qenë në dijeni të plotë të vlerësimit të shpronësimit në kundërshtim me ligjin. Si rrjedhojë, sipas SPAK-ut, në bashkëpunim Koka dhe Bllako kanë lejuar ardhjen e pasojës që ka sjellë shkaktimin e dëmit prej 16.288.000 lekësh.

Sipas dokumenteve që ka sekuestruar Prokuroria, bëhet me dije se procedura e shpronësimit të truallit u krye në kundërshtim me ligjin dhe se anëtarët e Komisionit nuk morën pjesë në këtë procedurë. Ata nuk kanë gjithashtu dijeni për këtë gjë.

Ka një korrespondencë, thotë SPAK-u, në dosjen hetimore, që është mbajtur me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive me kryetarin e Komisionit, Pëllumb Abeshi.

Më pas, kjo listë për tokën truall u nënshkrua së bashku me relacionin nga drejtoresha juridike dhe u miratua nga Alqi Bllako. Pikërisht këtu është kapur hetimi, duke aluduar se ky fakt ka orientuar gabim edhe kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashin, që procedoi sipas shkresave, duke kryer edhe pagesat përkatëse për subjektin përkatës referuar çmimit real që ai posedonte për tokë-arë.

Likuidimi mësohet se është kryer për një periudhë 2-vjeçare, por ndërkohë thuhet nga hetimi se, për shkak të shkresave që në nisje të procedurës kur Bllako ishte sekretar i Ministrisë, SPAK ka fiksuar si fakt se babai i tij, Edmond Bllako, u punësua si drejtor kantieri nga kompania koncesionare, duke i dhënë një pagë prej 6 mijë eurosh në muaj./albeu.com