Deklaratat për SPAK, Rama: Nuk heq asnjë presje të asaj që thashë, mori peng gjykatësin se donte Meta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me paralajmërimin që i bëri sot SPAK, ku i kërkon të hetojë “non gratat” (Sali Berishën).

Në reagim, Rama thotë se nuk heq nga asnjë presje të asaj që ka deklaruar. Ai gjithashtu shkruan se nuk mjafton që SPAK ka pushuar çështjen ndaj ish-kreut të KED, Ardian Dvorani, duke shtuar se ka marrë peng gjykatësin pa asnjë arsye duke shkuar pas avazit të Ilir Metës, të cilin e quan armik të reformës në drejtësi.

“Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut Publik NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!

Po meqë ka marrë përsipër të sqarohet publikisht, SPAKU do të duhej në fakt të sqaronte pse reagoi rrufeshëm, për një kallzim absurd, për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga Departamenti i Shtetit si kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi e në politikë, s’ka lëvizur ende gishtin!

SPAKU ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen tonë të palëkundur, por Shqipëria e shqiptarët meritojnë një drejtësi të drejtë, të gjithanshme e të guximshme dhe e meritojnë atë pa humbur kohë, e pa shmangur nga shënjestra kampionët me nam botëror të pushtetit gjyqësor apo politik të Shqipërisë!”, shkruan Rama./albeu.com


Shtuar 7.05.2022 15:39