Deklarata e Yuri Kim: Nëse doni ndryshim, votoni ndryshimin

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, tha dje se nëse shqiptarët duan ndryshim, momenti i ndryshimit është më 25 prill. E ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, zonja Kim duke sjellë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë që kontakton në çdo qytet dhe fshat kur shkon, tha se “Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në Parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime dhe 25 prilli është momenti”.

Për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ecuria e Reformës në Drejtësi ka trembur kundërshtarët, por nuk po kënaq ata që duan drejtësi të plotë. E pyetur për mungesën e ndëshkueshmërisë nga institucionet e drejtësisë, zonja Kim vërejti mungesën e kurajës dhe pse është besimplotë se SPAK-u do të vijojë me hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të personave të përfshirë në korrupsion. “Ajo që mungon është, të jem e ndershme, ajo që mungon është kuraja.

Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajë. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës te Reforma në Drejtësi, te SPAK-u, do t’ia vlejë, por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, Reforma në Drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate”, tha zonja Kim.

INTERVISTA

Më pak se dy javë nga dita e votimit, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore në lidhje me zgjedhjet?

Kam shpresa, por edhe shqetësime, siç vëreni ju. Mendoj se janë votime shumë të rëndësishme këto që vijnë. Pas 30 vitesh demokraci, jemi në një pikë kthese dhe mendoj se populli shqiptar ka mundësinë si në çdo zgjedhje për të vendosur në çfarë drejtimi do të shkojnë. Prandaj iu kam thënë votuesve se nuk ka rëndësi për kë votoni, por ka rëndësi që të votoni dhe vota juaj të jetë e mirëfilltë. Të ardhmen tuaj e vendosni ju.

A shihni shenja të minimit të integritetit të zgjedhjeve? Ju merrni raporte.

Marr raporte. Dëgjoj lloj-lloj gjërash dhe jemi të vëmendshëm. Në fund, kemi ekspertë që do të bëjnë një deklarim për këtë. E dini që OSBE ka dërguar një ekip nga ODIHR dhe ata janë ekspertët e vërtetë. Ndaj, do të pres për raportin e plotë.

Kur takoheni me drejtues politikë siç ndodhi në Elbasan apo qytete të tjera, çfarë ju thonë?

Më thonë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta. Që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka.

Mund t’i përmendim?

Zëvendësndihmëssekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën.

Kur flisni për emrat dhe informacionin në dispozicion, pyetja është: Ky informacion – një pyetje retorike kjo – është në dispozicion të prokurorëve apo SPAK-ut apo ligjzbatuesve të tjerë?

Mendoj që informacioni është gjerësisht në dispozicion.

Çfarë mungon?

Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajë. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajë. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës te Reforma në Drejtësi, te SPAK-u, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, Reforma në Drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot.

Shqipëria ka një nga ligjet më të ashpra të dekriminalizimit, por ka opinione dhe përpjekje, përfshi deputetë nga kjo legjislaturë, që ligji duhet amenduar që të përfshijë persona që kanë kryer dënime në vende si Zvicra, Kosova, për të mos përmendur listën e zezë të SHBA.

Ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur. E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord?

Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të blini një votë, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo! Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një “iPhone” të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq.

Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari.

Ajo që përmendët është që kemi persona që qartësisht nuk e nderojnë emrin e Shqipërisë, duke qenë në Parlament dhe nëse flasim për një trekëndësh – kemi institucione apo prokurorë të ndrojtur, udhëheqës politikë që nuk kanë kurajë dhe duket se shpresa juaj e fundit më e mirë janë votuesit shqiptarë?

Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në Parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti.

Ambasada qartësisht do monitorojë ditën e votimit. A keni një qytet të preferuar?

Ka shumë qytete që janë me rëndësi. Siç e dini, kam qenë në disa qytete javët e fundit. Këtë javë do të udhëtoj përsëri. Edhe javën që vjen do vizitoj një tjetër. Ditën e zgjedhjeve do të shkoj në disa nga pikat kyçe. Nuk e kemi bërë planin ende, por vetëm nga Ambasada e SHBA do të jenë 23 ose 24 ekipe. Do të shpërndahen në të gjithë vendin. Kjo është përveç ekipeve të ambasadave të tjera dhe, sigurisht, është OSBE/ODIHR që ka dërguar ekipin zyrtar. Do t’i shohim gjërat nga shumë afër. Dhe siç kam thënë më parë, në fund do të mbështetemi tek OSBE/ODIHR që do të japin opinionin e tyre ekspert.

A do të veprojë SHBA-ja si arbitër, nëse ka mosmarrëveshje lidhur me zgjedhjet?

Mendoj se është mënyra e gabuar e të menduarit. Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse po pyesni, a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë, rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes.

Keni thënë që amerikanët dhe ju vetë jeni optimistë nga natyra. Kam vetëm një pyetje për këto zgjedhje, të cilat janë shumë të rëndësishme. Këto zgjedhje do të jenë të dhjetat zgjedhje parlamentare nga viti 1991 në Shqipëri. Vetëm tri zgjedhje, në 1992, 2005 dhe 2013, kanë kaluar testin e pranimit nga pala humbëse. Çfarë ju bën optimiste se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se rezultati do të pranohet?

Në jetë nuk ka garanci, por kur shoh situatën, e dini, jam thellësisht në diskutime me të gjithë udhëheqësit përkatës. Mendoj se e kuptojnë rëndësinë që ka ndjekja e rregullave në maksimumin e mundësive, që ka transparenca. Mendoj se e kuptojnë se sa rëndësi kanë për të ardhmen e Shqipërisë. Mendoj e kuptojnë se sa rëndësi ka nga pikëpamja e SHBA-së, si mbështetëse dhe mike e Shqipërisë. Kemi qenë me ju për 30 vjet dhe tani jemi të lumtur të festojmë 30 vjet së bashku. Kemi bërë një investim shumë të madh tek Shqipëria si demokraci dhe si demokraci e begatë. Nuk kemi për ta humbur atë investim. Në fakt, preferojmë të sjellim më shumë investime, më shumë investime tradicionale, tek biznesi. Prandaj më dëgjon shpesh Lutfi të flas për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Këto tri gjëra janë të lidhura. Ëndrra ime është të kemi një situatë në Shqipëri, ku sundimi i ligjit vjen duke u forcuar, në mënyrë që t’u them investitorëve amerikanë: rregullat e investimit në Shqipëri janë të qarta. Nëse vini këtu, do të gjeni një popullsi, një forcë punëtore që është e aftë dhe që mund të trajnohet; se do të gjeni një sistem gjykatash që do t’ju japin një gjykim të drejtë në rast mosmarrëveshjeje; se ia vlen të vish në Shqipëri për të krijuar vende pune. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte nga Shkodra në Sarandë. Mendoj se është e mundur por e dini që duhet të merren ca vendime të vështira këtu. Nëse nuk keni një sistem gjykatash të pastra, njerëzit nuk do të investojnë.

Kemi pasur kriza të paktën dy në çdo dhjetëvjeçar: 1991, 1996, 1997, 1998, 2001, 2010, më pak, dhe 2017, pra tepër kriza për një vend të vogël dhe të ri.

Mendoj se shumë demokraci të reja, dhe mendoj se Shqipëria është një demokraci e re – 30 vjet janë kohë e gjatë në jetën e një personi, por jo dhe aq në jetën e një vendi. Kjo sigurisht jo për të shfajësuar, por do të thotë që Shqipëria është e veçantë në shumë mënyra, por pasja e njëfarë vështirësie dhe turbulence në zhvillimin e saj si demokraci, nuk është diçka unike, jo dhe aq e veçantë. Por është e rëndësishme të qëndrojmë të fokusuar tek synimi fundor, të vazhdoni t’iu kërkoni udhëheqësve tuaj dhe ta bëni gjithnjë e më të vështirë për partitë politike apo aktorët politikë që të sillen keq, dhe kjo përfshin përpjekjen për të refuzuar rezultatet e zgjedhjeve legjitime. Ndaj, kur dëgjoj njerëz që bëjnë komente lidhur me, e dini, nëse nuk fitojmë është ngaqë pala tjetër mashtroi, nuk është diçka e pranueshme për t’u thënë. Është diçka shumë e pafat. Më tregon që mendon se mund të humbësh. Dikush që ka besim që do të fitojë nuk thotë gjëra të tilla.

Thatë “ritheksoj se do t’i kërkojmë llogari udhëheqësve. Do të ndërmarrim veprimet e duhura ndaj atyre që pranojnë ose nxisin dhunë, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare dhe që përndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin te procesi zgjedhor dhe rezultatet e tij”. Keni një plan në tryezë?

Kemi disa opsione, por nuk i diskutoj në publik. Mendoj që njerëzit e kuptojnë që për SHBA kjo është një diçka serioze. Mendoj që Presidenti Biden dhe sekretari Blinken e kanë bërë shumë të qartë rëndësinë qendrore të sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë kudo në botë. Nuk e bëjmë sepse është diçka e këndshme, nuk është bamirësi, por se është në interesin kombëtar të SHBA që të ketë aleatë të fortë, të aftë dhe të begatë. Duam të sigurohemi që Shqipëria si aleate e NATO-s është e fortë se ne besojmë te ju siç besoni ju tek ne. Kjo është ajo që mendojmë ndërsa shohim këtë 30-vjetor dhe ndërsa ecim drejtë zgjedhjeve, është koha për të vendosur se çfarë vendi do të jetë Shqipëria.

Zonja ambasadore, kur flasim për reformën në drejtësi, ju keni thënë se të kërkosh përsosmëri është një mënyrë për të frenuar përparimin. Mund ta shpjegoni pak se çfarë doni të thoni dhe se si kjo frazë lidhet me Reformën në Drejtësi?

Kemi një thënie në Amerikë, “mos lejo të përsosurën të bëhet armike e së mirës,” dhe ajo që duam të themi është se ndonjëherë, kur kërkon përsosmëri, është një mënyrë për të frenuar ecjen përpara. Kur ndërton një shtëpi, është si të thuash që duhet shkatërruar se perdet janë më të shkurtra se sa duhet. Pra, kërkesa për përsosmëri mund të të pengojë rrugën. Në lidhje me Reformën në Drejtësi, e them dhe e rithem, mos ia vini veshin propagandës. Kërkesa për përsosmëri është propagandë, apo jo? Ia vini veshin fakteve. Çfarë është e ndryshme sot nga ku ishte vendi, nga ku ishte sistemi i drejtësisë një vit më parë, 2 vjet më parë, 3 vjet më parë dhe ndërton rrugën përpara bazuar në atë përparim. Më herët në program, ju përmenda numrin e ndjekjeve penale, sasinë e aseteve të sekuestruara, numrin e njerëzve që futen në burg. Ato shifra do të rriten ngadalë dhe po kështu do ndryshojë edhe lloji i individëve që do të japin llogari, pak nga pak. Edhe një herë, nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur, por e sigurt që shohim përparim dhe mendoj njerëzve nuk duhet t’i shpëtojë nga sytë përparimi apo synimi fundor dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë më shumë. Mos hiqni dorë, nuk është momenti për të hequr dorë.

Kur flisni për Reformën në Drejtësi, përmendët përparimin dhe keni thënë se ka mjaft përparim për të alarmuar ata që nuk e duan…

…e saktë…

…por jo mjaft sa shqiptarët të ndjejnë se ka drejtësi. Kur mendoni do vijë koha kur shprehja “të gjithë të barabartë para ligjit” nuk është veç një parullë?

Mendoj se jemi në atë pikën e majës këtu, ndaj përmenda se është mjaft sa për të trembur kundërshtarët por jo mjaft sa për të kënaqur ata që duan drejtësi të plotë. Nuk e di nëse mund ta identifikoj saktë…

Po citoj raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, “Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryejnë abuzime ishin sporadike dhe jokonseguente. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët, personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale.” Pyetja ime është, “A shihni shenja se ditët e pandëshkueshmërisë po marrin fund?”

Mendoj se ka pasur disa ndjekje penale shumë të rëndësishme që janë shpallur nga SPAK-u. Filluan verën e shkuar dhe po i ndjekim këto me shumë kujdes dhe mendoj se kjo do të jetë një tregues i mirë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Nuk më pëlqejnë pyetjet hipotetike, por po i lejoj vetes një të tillë. Pesë vjet nga tani, çfarë do donit të thoshit për Reformën në Drejtësi në Shqipëri?

Shpresoj që 5 vjet nga tani do të jemi në gjendje të kthejmë sytë pas dhe të themi se ishte një fillim i mirë dhe shikoni sa shumë përparim kemi bërë. Shpresoj se pasja në sistem e gjyqtarëve që marrin ryshfet do të bëhet tërësisht e papranueshme, jo vetëm moralisht, por edhe nga pikëpamja e ligjit. Shpresoj që do të ketë një brez të ri prokurorësh, gjyqtarësh, avokatësh dhe qytetarësh që këmbëngulin për një standard më të lartë për Shqipërinë. Kur njerëzit thonë se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar, apo shqiptarët janë kështu e janë ashtu, mendoj se janë broçkulla dhe ka për qëllim të vrasë shpresën. Siç kam thënë, shpresa është një armë, është një mjet dhe jo diçka që do lejuar që të tjerët ta vrasin lehtë. Prandaj, shihni faktet, mendoni për të ardhmen tuaj, mendoni për fëmijët tuaj, shkoni në votime në 25 prill dhe votoni mbi atë bazë, nëse doni diçka me të shkuar që është turp t’ju përfaqësojë dhe që merr taksat tuaja si anëtar i parlamentit. Po të isha qytetare shqiptare, nuk do ta pranoja këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara që janë në gjendje të ndihmojmë miken tonë dhe do të jemi gjithmonë në krah, por tani është pjesa juaj, duhet të vendosni. Keni kërkuar mendimin tonë, e kemi dhënë. Shpresojmë që do të dëgjoni.


Shtuar 14.04.2021 11:04

Tags: ,