Degët e përafërta me mësuesinë, ata që kanë mbaruar studimet do të bëhen arsimtarë pas marrjes së çerfitikatës

Të diplomuarit në fusha të ngjashme ose të përafërta me lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar do të mund të bëhen mësues.

Por kusht mbetet pajisja me certifikatën e formimit të vazhduar psiko-pedagogjik i cili nis për herë të parë në fakultetet e edukimit dhe do të zhvillohet përgjatë një semestri, me 35 kredite.

“Bëhet fjalë për ata që kanë mbaruar Biologji, Kimi, Matematikë, Fizikë, kemi nga gjuha, letërsia, gjuhë të huaj, nga fusha e komunikimit, artet si dhe nga individë të cilët kanë studiuar teknologji informacioni. Ndërthurim edukimin pedagogjik me atë psikologjik. Kanë fituar rreth 70 aplikantë”, tha përgjegjësja e departamentit pedagogji-psikologji në UT, Arjana Muçaj.

Përgjegjësja e departamentit të Pedagogji-Psikologjisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Arjana Muçaj shprehet se fokusi duhet të vendoset tek cilësia në arsim.

“Nëse themi që tregu është mbingopur me të diplomuar, ne kemi nevojë që brenda shkollave tona qoftë në qytet por edhe në zona më të thella të gjejmë mësues të përgatitur mirë. Unë do ta shikoja këtë kurs si një trajnim, kualifikim në mënyrë që këta të rinj që kanë marrë një diplomë universitare të kenë më tepër cilësi në punën që do të bëjnë me nxënësit”, shtoi Muçaj.

Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike, ofrohen nga disa institucione të arsimit të lartë në të gjithë vendin, që kanë programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë në fushën e mësuesisë.


Shtuar 24.12.2023 15:22