Dëbuan mësuesit turq, Gjykata Themelore e Prishtinës konfirmon aktakuzat

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion, Rrahman Sylejmani për dëbimin e 6 mësuesve turq nga Kosova.

Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani akuzohen për keqpërdorim të detyrës, ndërkohë që Sylejmani akuzohet edhe për heqje lirie të 6 personave. Ndërsa kërkesë e tyre për hedhjen poshtë të aktakuzës është refuzuar.

“Refuzohen si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Driton Gashi, nga mbrojtësi i të pandehurit Valon Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha, nga mbrojtësi i të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani, shkak se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat po akuzohen”, thuhet në vendimin e Themelores.

Këta tre persona kanë arrestuar dhe dorëzuar në Turqi 6 mësues turq që kanë dhënë mësim në një shkollë të financuar nga Fondacioni Gylen.


Shtuar 22.05.2021 17:59