Debatet mbi Open Ballkan, BE: E mirëpresim, tregtia e lirë sjell gjithmonë zhvillim

“Open Ballkan” është një nismë e ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe ka si qëllim hapjen e kufijve mes vendeve dhe lehtësira sa i takon lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Mirëpo, kjo nismë nuk është përkrahur nga të gjitha vendet e Ballkanit, ku përkohësisht, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina kanë refuzuar të futen. Pas SHBA edhe BE ka përshëndetur këtë iniciativë.

Në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë, zëdhënësja e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret këtë angazhim të liderëve për bashkëpunim rajonal.

Pisonero gjithashtu e ka rikujtuar edhe zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Ajo në fund ka thënë se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, ka përfunduar Pisonero. /albeu.com/


Shtuar 13.08.2021 13:25