Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka theksuar nga foltorja e Kuvendit se çdo shqiptar emigrant duhet të ketë mundësinë të votojë në zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar garantimin e kushteve të nevojshme për këtë.
Në një përplasje të ashpër me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Noka akuzoi eksponentët e Partisë Socialiste se po përpiqen të kufizojnë të drejtën e votës për emigrantët, duke favorizuar vetëm ata që janë të regjistruar në lista dhe që disponojnë dokumente identifikimi shqiptare.
“Sipas Kushtetutës, çdo shqiptar duhet të ketë të drejtën e votës, për sa kohë figuron në regjistrin e gjendjes civile. Ju doni të votojnë vetëm ata që janë në listat tuaja dhe përjashtoni pjesën tjetër të Diasporës. E mohoni këtë të drejtë sepse keni frikë. Brenda nuk ju duan dhe jashtë ju refuzojnë,” deklaroi Noka.
Ministri Manja, fjalimit të Nokës iu përgjigj me tone të ashpra.
“Që të ushtrosh të drejtën e votës, duhet të kesh një dokument shqiptar. Nuk ka asnjë vend në botë që lejon të votosh me dokument të një shteti tjetër. Kemi rënë dakord që edhe nëse një pasaportë apo ID ka skaduar, votuesi mund të regjistrohet. Por ju, opozita, keni qenë gjithmonë kundër votës së Diasporës. Lëre dorën, mos bëj teatrin. Je një fosile politike,” u shpreh Manja me tone të ashpra.