Sekretari i Jashtëm Britanik, David Cameron do të vizitojë Tiranën ditën e nesërme.
Cameron do të udhëtojë nga Londra në Tiranë dhe fokusi do të jetë te bashkëpunimi me autoritetet shqiptare në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, bandave kriminale dhe sekuestrimit të pasurive të tyre.
Mesdita e së mërkurës do ta gjejë shefin e diplomacisë britanike në kryeministri, aty ku do të ketë një takim me Edi Ramën dhe më pas një dalje të përbashkët për mediat.
Agjenda e David Cameron përmban edhe një takim me Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani.
Të dielën kur edhe mediat britanike zbuluan vizitën e David Cameron në Shqipëri, përfaqësia diplomatike në Tiranë bëri me dije se qëllimi i ardhjes është dyndja e emigranteve në Britaninë e Madhe, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë që shkojnë atje në rrugë të paligjshme.
Ky nuk është shqetësimi i vetëm i qeverisë së Londrës. Goditja e grupeve kriminale që merren me trafikun e qenieve njerëzore dhe sekuestrimin e pasurive të tyre është po aq shqetësim, për të cilin lordi David Cameron do të kërkojë ndihmën dhe bashkëpunimin e qeverisë dhe organeve të drejtësisë.
Sekretari britanik do të flasë me kryeministrin edhe për mënyrën sesi gjyqësori dhe policia shqiptare do të duhet të përballen me krimin e organizuar e për të çuar përpara reformën në drejtësi.
Prej dhjetorit të 2022-it mes dy vendeve është në fuqi marrëveshja që pikë kryesore ka betejën me emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Anglisë dhe rritjes së investimeve britanike që synojnë të ulin shifrat e braktisjes së vendit nga të rinjtë që kërkojnë një jetë më të mirë në Britani./albeu.com