Ftohja dhe gripi janë sëmundje respiratore, të cilat më së shpeshti i shkaktojnë viruset. Zakonisht shfaqen në të njëjtën kohë, kur temperaturat janë të ulëta ose pas ndryshimeve të papritura të temperaturës, prandaj shpesh ka konfuzione se bëhet fjalë për sëmundjen e njëjtë.
Dallimet më të rëndësishme janë simptomat më të theksuara dhe kohëzgjatja e sëmundjes. Ftohja ka simptoma më pak të theksuara, më saktë simptoma më të lehta, ndërsa gripi zakonisht ka simptoma më të rënda dhe më të forta dhe potencialisht është më i rrezikshëm.
Simptomat:
Ftohja zgjat vetëm disa ditë, më së shumti një javë. Gripi mund të zgjasë edhe dy-tri javë. Shërimi është pak më ndryshe, sepse te gripi është i domosdoshëm përdorimi i mjekimit, të cilat i ka përshkruar mjeku. Simptoma kryesore sipas së cilës mund të përcaktoni a bëhet fjalë për ftohje apo grip është mënyra sipas së cilës paraqitet sëmundja.
Zakonisht në rast të ftohjes sëmundja shfaqet gradualisht. Fëmija nuk ka temperaturë ose temperatura është vetëm pak më e lartë, nuk ka dhimbje koke, por hunda është e zënë ose kullon shumë. Në rastin e gripit, sëmundja shfaqet papritmas, me simptoma shumë më të theksuara: temperatura e lartë, dhimbja e kokës, ethet, dhimbjet në muskuj, lodhja si dhe humbja e apetitit.