COVID-19/ Rama-Manastirliu në Vlorë: Nga dita e hënë ulim fashën në +60 vjeç

Vlorë, 10 Prill – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në Vlorë. Manastirliu bëri me dije se nga dita e hënë do të ulet fasha në +60 vjeç, ndërkohë që nesër fillon dhe shpërndarja e 100 mijë vaksinave të Sinovac.

“Ditën e hënë ulim fashën në +60 vjeç. Kemi filluar tashmë me gjithë pjesën e inventarizimit dhe fillojmë nga nesër shpërndarjen e vaksinave, 100 mijë vaksinave të ardhura të Sinovac”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se vazhdon intensivisht vaksinimi në të gjithë vendin, Manastirliu tha se janë kryer mbi 250 mijë vaksinime deri më sot.

“Në gjithë qarkun Vlorë janë më shumë se 26 mijë vaksinime të kryera. Vetëm në Bashkinë Vlorë janë mbi 21 mijë. Vazhdon ritmi i vaksinimit edhe në qendra shëndetësore. Janë mbi 250 mijë vaksinime të kryera”, tha Manastirliu.

Duke folur për mbërritjen e vaksinave të tjera Manastirliu tha: “Presim nga dita e hënë 7020 doza të vaksinës Pfizer në kuadër të kontratës. Gjithashtu dhe serinë tjetër të vaksinave nga kontrata që kemi me distrubutorin e autorizuar Sinovac”.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 250.676 doza të vaksinës ndaj COVID19.


Shtuar 10.04.2021 11:23