Gazetarja e mirënjohur nga Shkodra, Anila Dushi nuk arriti ta fitojë këtë luftë me Covid-19.
Dushi është një gazetare e njohur në Shkodër, por edhe në Shqipëri me një karrierë të pasur, ku ka punuar në mediat lokale dhe kombëtare.
Të lidhura
None found
Pak ditë më parë, ajo kishte treguar përjetimet e saj me virusin e rrezikshëm nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
“Kam besuar qe në fillim se Covid-19 është një luftë botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka Tmerr”, kishte shkruar gazetarja para disa ditësh.

Dushi ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në spitalin rajonal të Shkodrës.
Miq dhe kolegë të së ndjerës kanë shprehur pikëllimet e tyre nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
“E vështirë me e nis ditën me një lajm të trishtueshëm! Anila Dushi, shoqe, mike, mësuese e gazetare, nuk asht ma mes nesh. Humbje për gazetarinë, publicistikën, miqtë e të njohurit e shumtë e mbi të gjitha për të afërmit.
Pushofsh në në paqe Anilë, do të të kujtojmë gjithmonë! Lamtumirë!”, është shprehur kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
“Ky virus i rrezikshëm i mori jetën sot një gruaje të fortë dhe gazetares të shkëlqyer, shkodranes Anila Dushi. Edhe në momentet e fundit të jetës arrite të shkruash e të ndash me ne dhimbjen dhe luftën që po bëje me Covid….
Është shumë trishtim dhe mërzi kur humbet miq e të njohur, më të cilët ke bërë një rrugëtim jete, sado i vogël të ketë qenë ai.
Ideja e humbjes dhe mendimi që nuk do i takosh më, lë një vend bosh…… e sot secili nga ne ka shumë vende bosh në mendje e zemër…..
Anilë, të qoftë i lehtë dheu dhe do të kujtoj gjithmonë si miken që asnjëherë nuk kurseu fjalët e ambla për mua. ..
Ngushëllime familjarëve dhe miqve! ”, shkroi deputetja Senida Mesi.
“Na le Anila Dushi nuk na e bane mire… Jete e pate plote dallge qe i perballove me shume dhimbje. Ishe mbeshtetje per mua dhe Elionen… Na ke dasht e na ke afru shume… Pushofsh me Engjet e qiellit ne dashnin e pa fund… Lamtumire Dushi”, ka shkruar gazetari i njohur, Simon Shkreli.
