Ministria e Financave raportoi se raporti i borxhit publik me Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në 68.8% në fund të vitit 2022 sipas dokumentit të Kuadrit të Makroekonomik 2024-2026.
Borxhi publik bruto gjithsesi mbetet në nivele më të larta se para pandemisë 2019 ku treguesi arriti në 65.8% të PBB-së.
Pas zgjerimit me rreth 74.5% të PBB-më 2020 treguesi shënoi rënie për shkak të situatës së mirë fiskale që erdhi kryesisht nga rritja e çmimeve të lëndëve të para.
Arkëtimet buxhetore pësuan rritje me rreth 13% vitin e kaluar ose rreth 588 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Një pjesë e madhe e rritjes i dedikohet inflacionit te lartë.
Gjatë vitit të kaluar importet në sasi pësuan rënie me 6.5% , por në vlerë ato ishin gati 19% më të larta se në vitin 2021.
Rritja e të ardhurave më shumë se plani dhe mbajtja e shpenzimeve nën kontroll ndihmuan në rënien e borxhit në përqindje të PBB-së edhe pse treguesi ishte parashikuar me rritje këtë vit.
Qeveria synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 2.2% të PBB për 2024, nga 2.6% i programuar për vitin 2023, nivelin prej 2.2% të PBB-së në vitin 2025 dhe 1.7% në 2026.
Njëkohësisht, balanca primare pritet të rikthehet në norma pozitive prej rreth 0.3% që prej vitit
Ministria e Financave parashikon që duke filluar që prej vitit 2024 e në vijim balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë së paku e balancuar ose pozitive (suficit primar).
Balanca primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik bruto rreth nivelit prej 64.2% të PBB deri në vitin 2026 nga rreth 68.8% që pritet të rezultojë në 2022.
Gjatë periudhës nga viti 2017 deri në vitin 2019, borxhi ka qenë në një trajektore rënëse duke shënuar një rënie me 4.4 p.p., nga 70.1% e PBB në fund të vitit 2017 në 65.7% e PBB në fund të vitit 2019.
Gjatë vitit 2020 dhe 2021, borxhi shënoi rritje duke kapur nivelin prej 73.1% e PBB në fund të vitit 2021.
Rritja e nivelit të borxhit gjatë dy viteve të fundit ka ardhur si rezultat i nevojave më të larta për financim në këto vite si pasojë e situatës së krijuar pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë Covid-19, si dhe nevojës për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë pas rënies së madhe që pati në vitin 2020./monitor/