Çmimet e larta në prag fundviti, kryeson listën gjeli i detit

Ndërsa jemi në prag të fundvitit një sërë produktesh të shportës, por jo vetëm, duket se kanë pësuar rritje çmimesh. Në këtë sezon festash thuajse të gjitha produktet kanë çmim më të lartë se vitin e kaluar por megjithatë gjeli i detit është produkti më i shtrenjtë.

Gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj tha se në Tiranë kanë pësuar rritje të çmimit të gjitha produktet, kryesisht gjeli i detit duke qenë se është i pranishëm në tryezat e shqiptarëve natën e ndërrimit të viteve, si dhe produktet e bulmetit.

“Ka rënë 20 deri në 25% fuqia blerëse në këtë periudhë, kështu thonë tregtarët. Qytetarët nuk mund të blejnë më si vitin e shkuar”.

Situata paraqitet e njëjtë edhe në Shkodër. Gazetarja e Klan News Emi Kalaja raporton se produktet e mishit dhe frutat e perimet kanë pësuar rritje të çmimit.

Në qytetin e Durrësit gjeli i detit shitet me 1200 lekë të reja ndërsa ka rritje të çmimit në tregun e fruta-perimeve.

“Çdo produkt është rritur me 10%, në tregun e fruta perimeve ka një rritje të konsiderueshme. Qytetarët përgjatë këtyre ditëve bëjnë shpenzime më të mëdha. Gjeli i detit shitet këtë vit me 1200 lekë të reja. Në restorante ka rritje të paketave që ofrojnë me rastin e festave” , raporton gazetarja Enkeleda Arapi.

Fluksi i blerësve ka rënë dhe në qytetin e Elbasanit dhe të Myzeqesë per shkak të këtyre çmimeve të larta./tvklan


Shtuar 28.12.2022 20:45