Nga Arben Manaj
Unë dhe Dua e duam Ksamilin, ndaj po investojmë aty! Dua Lipa e ka më të lehtë, për shkak te famës dhe llogarisë bankare!
Ajo ndoshta ka një këndvështrim më idilik të “Maldiveve të Evropës”, sesa unë dhe polaku Pawel, lëre pastaj operatorin e jetskive, Peco, “cepellsi”nga Ksamili apo Iliri nga Kreta, që lë shtëpitë me qera!
Përveç Duas, të gjithë të tjerët nuk e kanë të lehtë të jetojnë dhe punojnë në “Maldivet” e Shqipërisë!
Për faj edhe të tyre, por edhe të atyre që do duhet të menaxhojnë “makroprincipatën e jugut”!
Ksamili rrezikon të jetë një flluskë sapuni dhe ashtu si kjo verë që thuhet se mund të jetë më e freskëta deri më sot edhe ky resort mund të jetë më i mbushuri me të huaj se në vitet në vazhdim!
Fatkeqësia e neokapitalistëve shqiptarë është sotpërsotshmëria e fitimit, mundësisht brenda 24 orëve dhe dështimi për një vizion më të qëndrueshëm ne biznesbërje!
Oferta dhe më sakte çmimet, veçanërisht të çadrave dhe shezlongëve apo disa shërbimeve të tjera, janë në shpërpjesëtim me bukurinë ujore dhe atë çka Ksamili e ka prej Zotit dhe deri diku edhe të atyre që kanë vendosur të jetojnë aty, duke investuar gjithçka kanë fituar e fitojnë ata dhe fëmijët e tyre nëpër Evropë!
Këto çmime sidomos nëpër plazhe, po dëmtojnë skalionet e tjera te atyre që mundësojnë pushimet në resort si hotelerinë private, restorantet, aktivitet ujore, shërbimet e qiradhënies se makinave, me përjashtim të supermarketeve që po bëjnë “kërdinë”, pasi aty po e gjejnë shpëtimin pushuesit e huaj dhe ata vendas!
Për një familje me dy fëmijë minimalisht shkon 40 mijë lekë dy çadra që me kursin aktual plus-minus janë 40 euro, sa gjysma afërsisht e akomodimit, plus shpenzimet e ushqimit ku një dreke minimalisht shkon 60 euro, mëngjesi dhe darka e duan po aq të dyja bashkë, pa përfshirë argëtime të tjera, nëse e përzgjedh si opsion, sepse karburanti dhe udhëtimet neper resorte të tjera nuk i përfshij!
Por në Ksamil ka edhe çadra deri në 1 mijë euro me një Dom Perignon, si me qenë në Mikonos!
Kundërargumenti është kërkesë-oferta dhe nëse s’ta mban xhepi shko gjetkë!
Por Ksamili dhe si ofrohet në mediat botërore është shumë më i lirë se kaq dhe zhgënjimi do përplaset si bumerang në vitin e ardhshëm dhe ne vijim!
Transporti mbetet një tmerr i vërtetë, bashkë me parkimin kur tërë pushuesit e Sarandës i mbivendosen Ksamilit dhe pa makine private mos u nis fare!
Nëpër portale, polak, ukrainas, spanjoll a italian, letonez a anglez, pyesin sa kushton ardhja nga aeroporti në Ksamil dhe përgjigjja e vetme mbetet në shumicën e rasteve taksitë që të kripin kokën, siç mund ta imagjinosh 30 euro nga Saranda në Ksamil!
Ndërkohë që ka autobus dhe fugon ndërqytetës nga Tirana në Sarandë a Përmet, Shkodër a Kukës, përse të mos ketë të paktën një terminal nga Rinasi drejt Velipojës, Durrësit, Vlorës, Dhërmiut a Sarandës e Ksamilit për të huajt!
Kaq e vështirë qenka krahasuar me linjat e trenave apo aeroporteve me afër resorteve apo linjave te trageteve që kurrë nuk kanë operuar në Shqipëri, aq më tepër atë post-komunisten, siç shikon kur rri ulur në Ksamil nëpër ngushticën e Korfuzit!
Kaq e vështirë është të ketë me shumë autobusë urban Sarandë-Ksamil apo furgona nga Ksamili te Pema e Thatë tërë pluhur dhe gropa apo në plazhe të tjera si Arameras apo gjetkë mes Sarandës e Ksamilit!
Abuzimi me çmimet e çadrave dhe plazheve po dëmtojnë plot arrogancë bizneset e tjera e nëse hoteleritë në një rast fatlum, bien dakord (gjë qe ka pak gjasa, sepse nuk ka shoqata që të mbrojnë interesat e tyre) e këta te vendosin çmime 200 euro për dhomë psh, peshqit e linguinet apo rizotot me fruta deti t’i hanë vetë pronarët e kamerierët se pushuesit ose do jenë më të pakët ose do gjejnë alternativa më sekrete të ushqyeri!
Madje, edhe vendasit do duhet të jetojnë dhe nëse pushojnë te paguajnë si turistët dhe u rrofshin investimet se edhe ushqimet i blejnë si ata!
Kur me një kartë të posaçme identiteti ata të mos paguanin siç ndodh në ishujt grekë ku një frape apo ushqimi janë mjaftueshëm për çadra dhe shezlong, pa pagese shtese!
Pas plazhit, Ksamili ofron shëtitje nëpër rrugë jo perfekte dhe shpesh me mbeturina, kakofoni muzikore e te gjitha zhanreve nga një klub te tjetri, që shijohet më shumë nga një promenadë ende e pashtruar as edhe me atë shtrese si te rrugët e Liqenit në Tirane dhe tezga ambulantësh!
Asnjë mini-amfiteatër për koncerte e shfaqe muzikantësh shqiptare që i fundit show u daton më 21 korrikun përvëlues!
Siç është Ksamili dhe turizmi shqiptar momentalisht do rezultojë zhgënjyes përballe ofertave të tjera rajonale, pavarësisht mitit te krijuar si “Maldivet e Evropës”, nga një fushate sensibilizuese e paprecedentë që mbart në vetvete riskun e dështimit dhe bumerangut!
Si ksamiljot do doja dhe besoj te vizioni i kryetarit të ri të Bashkisë së Sarandës dhe përbetimit kryeministror të surprizuar nga vota e ksamiljotëve në zgjedhjet e fundit lokale se do investoj në atë resort!
Por nëse Rama do t’u besojë videove që bashkëpunëtorët e tij i ofrojnë në 3D apo nga dronët, pa folur dhe kuvenduar me ata që bëjnë biznes turistik në Ksamil, do i shkojë dëm edhe merita e tij personale në promovimin, qoftë edhe të Ksamilit, ku unë dhe Dua Lipa kemi vendosur të investojmë si shqiptarë krenarë dhe besimplotë se kur shqiptarët orientohen drejt janë super të suksesshëm, që të mos zhgënjejnë polakun Pawel apo ata që lexojnë shtypin perëndimor për Ksamilin!