Çmenduria e një 24-vjeçari që ka rrezikuar përdoruesit e rrugës në aksin Milot-Mamurras ka përfunduar me një bllokim mjeti, gjobë dhe pezullim të lejes së drejtimit për dy vjet ndaj tij.
Blutë e Lezhës bëjnë me dije se i riu, ka bërë “drift” me makinë në sensin e kundërt të lëvizjes, në aksin rrugor Milot-Mamurras dhe më pas e ka postuar këtë video në rrjetet sociale, për t’u mburrur.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Policia e Lezhës, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej një drejtues mjeti që bënte manovra të rrezikshme me mjetin, në sensin e kundërt të lëvizjes, në aksin rrugor Milot-Mamurras, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, falë veprimeve të shpejta dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesit të mjetit që shfaqej në video.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Lezhë proceduan penalisht për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, drejtuesin e mjetit, shtetasin D. N., 24 vjeç, banues në Kurbin.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë i kanë bllokuar automjetin, i kanë vendosur masën administrative 60.000 lekë të rinj dhe i kanë pezulluar lejen e drejtimit, për 2 vjet”, njofton Policia.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe i fton që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve. /albeu.com/