Hetimi i nisur në prokurorinë e Tiranës për abuzimin e disa zyrtarëve të ish-komunës Bërxullë, në skemën e tjetërsimit të pronave, ka zbuluar fakte se në krye të kësaj skeme ka qëndruar ish-kryekomunari i PD, Ymer Marku.
Njeriu që ka drejtuar për disa vite me rradhë ish-komunën Bërxullë, i cili pak vite më parë shpresoi për të drejtuar edhe bashkinë e Vorës, sot ndodhet në burg, për shkak se hetimet e zhvilluara nga prokuroria e kryeqytetit kanë zbuluar një seri abuzimesh me tjetërsimin dhe më pas shitjen e pronave.
Shitjet fiktive, dhurimet dhe kalimet e pronësisë nga njëri mik apo i afërm tek tjetri shok apo kushëri i Ymer Markut, janë një skemë e përdorur gjerësisht në Bërxullë, ku pronari real që fshihet pas këtij çifligu pronash dyshohet se është pikërisht ish-zyrtari, Ymer Marku.
Së fundmi hetimet e kryera nga prokuroria e Tiranës kanë nxjerë në dritë një praktikë të dyshimtë pronësie, ku 20 mijë m2 tokë që aktualisht është e mbjellë me Ullinj, besohet se ka në prapavijë pronarin real ish-kryekomunarin, Ymer Marku.
Pasuria rezulton të jetë rregjistruar përmes dokumentave të falsifikuara në emër të shtetasit Muharrem Muka dhe ndodhet në zonën e Kodër Bërxullës. Aktualisht ky person nuk jeton më.
Muharrem Muka, më parë ka shërbyer si kryeplak i fshatin Bërxullë i cili është emëruar në këtë detyrë nga ish-kryekomunari Ymer Marku.
Sipas burimeve të prokurorisë lidhja e Muharrem Mukës me Ymer Markun është bërë përmes Vath Mukës, i cili është kushëri i Muharremit.
Për shkak të kësaj miqësie disa prona të tjetërsuara në zonën e Bërxullës, janë rregjistruar përmes dokumentave të falsifikuara në emër të Muharrem Mukës dhe kushëririt të tij, Vath Muka.
Vath Muka, është një person që po ashtu rezulton pronar me dokumenta të falsifikuara në një sipërfaqe toke prej 10 mijë 800 metra katror, që më pas i është shitur kompanisë Alko Impex”të Arbër Abazaj.
Përfituesi i parë ka qenë Vath Muka, më pas prona i ka kaluar fiktivisht Tahir Cenës, djali i dajës së Ymer Markut.
Por nuk ka kaluar shumë dhe ky i fundit e ka shitur këtë pasuri kundrejt 43 milion lekë të vjetra tek Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit të PS Sadri Abazi.
Ymer Marku dhe Arbër Abazi i kompanisë “Alko Impex” kanë një njohje të vjetër mes tyre, pasi Ymeri njihet prej vitesh me babain e Arbërit, Sherif Abazi, me të cilin kanë punuar tek Drejtoria e Hekurudhës.
Sapo ka blerë këtë sipërfaqe toke me 10 mijë e 800 metra katror, punonjësit e Arbër Abazit janë shfaqur në teren për të bërë rrethimin e kësaj pasurie.
Mes personave që do thiren në vijim apo janë thirur gjatë kësaj kohe hetimore, janë Arbër Abazaj, Dali Cejku, Tahir Cena, gruaja e këtij të fundit Fidarie Cena, Driton Cena, Florjan Cena, Ismail Cena, Agron Marku, Gazmend Cena, vëllai i Ymerit, Sokol Marku, shoferi i këtij të fundit Arjol Bici, topografi i komunës Bërxullë Sakip Domi, hidrauliku i komunës, Arben Tafa, shoku i ngushtë i Ymer Markut, Vath Muka, Mersim Murati, i cili ka qënë ish-punonjës i komunës Bërxullë.
Pjesë e grupit që kanë shërbyer si fasadë për të kryer tjetërsimin dhe rregjistrimin e pronave në zonën e Bërxullës, besohet se kanë shërbyer Muharrem Muça dhe Xhaf Sefo, të cilët tashmë janë ndarë nga jeta.
Paralelisht me hetimin për të provuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, ndaj Ymer Markut dhe personave të tjerë ka nisur dhe një hetim pasuror, ku deri në këtë fazë ish-zyrtarit të komunës Bërxullë i janë zbuluar dy apartamente të padeklaruar dhe pritet që në ditët në vijim prokuroria të kërkojë sekuestrimin e tyre në gjykatë./oranews