I pyetur se a pritet ndryshim në qasjen e Qeverisë së Kosovës karshi Maqedonisë së Veriut me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela vlerëson se ajo do të varet nga qasja që do të ketë përfaqësuesi shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Sela “konstaton se qasja e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti ka qenë e keqe këto 20 vite, prandaj shqiptarët i kanë vuajtur pasojat”.
“Mos keni asnjë dilemë. Qasja e kryeministrave në Maqedoninë e Veriut, kushdo qoftë ai, nga viti 90 deri më sot, pyetja duhet të shtrohet drejtë dhe korrekt: Cila është qasja e përfaqësuesit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në varësi të qasjes që përfaqësuesi shqiptar që është pjesë e Qeverisë, në rastin konkret, zotëri Ahmeti. Kur qasja e tij është e keqe, shqiptarët i kanë punët keq dhe qasja e çdo kryeministri që zgjidhet, varet nga qasja e përfaqësuesit shqiptar brenda Qeverisë. Me keqardhje konstatoj se këto 20 vite, qasja e Ahmetit ka qenë e keqe ndaj shqiptarëve dhe prandaj i kanë vuajtur pasojat shqiptarët”, tha Sela pas takimit me Albin Kurtin në Prishtinë, transmeton TV21.