Çfarë po ndodh me pronat e shqiptarëve? Raporti i BE-së: 80 për qind e regjistrimeve janë gabim

Edhe pse Shqipëria ka shpenzuar mbi 40 milionë euro fonde nga buxheti dhe donatorët për të ngritur një regjistër pronash të saktë dhe një sistem modern të Kadastrës, rezultati ka qenë një dështim mizerabël.

Një raport i Bashkimit Europian lëshon alarmin se 80 për qind e pronave të regjistruara në Shqipëri kanë të dhëna të pasakta duke krijuar një lëmsh masiv me kosto të jashtëzakonshme për ekonominë dhe vendin.

“Dy institucionet përgjegjëse deri në vitin 2018, ZRPP dhe ALUIZNI, janë tashmë të dyja pjesë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Sipas të dhënave të tyre, 11% e territorit të vendit nuk është e regjistruar dhe afërsisht 80% e pronave të regjistruara kanë të dhëna të pasakta. Kjo përbën një pengesë për çdo aktivitet planifikimi, zhvillimi apo investimi,” thuhet në raport.

Sipas raportit, pjesa dërrmuese e hartave kadastrale dhe titujve të pronësisë nuk janë plotësisht të dixhitalizuara.

“Nga 3057 zona kadastrale me rreth tituj pronësi në shkallë kombëtare, vetëm 140 zona kadastrale me rreth 700 mijë prona përfshijnë të dhëna të përditësuara dixhitale në ALBSREP (Sistemi Shqiptar për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme,” vijon raporti.

Kaos, kaos, kaos

Aktualisht të dhënat kadastrale dhe të drejtat pronësore të krijuara nga aktivitetet e regjistrimit të pare në rreth 20 zona kadastrale si dhe nga regjistrimi i parë i pyjeve dhe kullotave, i cili shtrihet në 18 bashki të vendit, pranohen dhe ngarkohen në ALBSREP.

Ndërsa regjistrat e rinj dixhital të informacionit ligjor, që janë krijuar më vonë – rreth 1.6 milion kartela – janë hapur në baza sporadike pasi ndodhin transaksione të reja në zyrat lokale, por pa hartat ose planet kadastrale dixhitale përkatëse.

“ALBSREP, nëpërmjet të cilit të dhënat e hartave kadastrale dhe të drejtave pronësore mirëmbahen, nuk komunikon me modulin për menaxhimin e dokumenteve mbështetëse. Për rrjedhojë, nuk ka lidhje mes dokumenteve mbështetëse dhe parcelës së pronës,” denoncon raporti.

Problemi kryesor është se sistemi ekzistues elektronik i Kadastrës nuk pranon përditësim të dhënash për transaksionet që zhvillohen çdo ditë në treg me titujt e pronësisë. Rrjedhimisht në shumë zona, pronat janë të dixhitalizuara deri në një pikë të caktuar dhe transaksionet që kanë ndodhur më pas me to, mbahen në dosje fizike në letër sepse sistemi nuk pranon përditësim.

Aktualisht janë në përdorim një sërë aplikacionesh të ndryshme softuerike të vjetra, të cilat nuk përputhen me modelin e ALBSREP për futjen e të dhënave. Kjo komplikon validimin e të dhënave dhe migrimin e tyre në ALBSREP, pavarësisht programin 2 vjeçar të autoriteteve pë “përmirësimin e cilësisë së të dhënave”

Për të gjitha këto probleme, Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare kishin rënë dakord për ndërtimin e një sistemi të ri elektronik të Kadastrës, që do të zgjidhte këto probleme. Por qeveria dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës vendosën ta bllokojnë tenderin e BE-së duke hapur një tender paralel për përmirësimin e sistemit ekzistues problematik. /Klodian Tomorri-Oligarkia.al


Shtuar 29.08.2023 12:48