Kryeministri Edi Rama ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Gjatë fjalës së mbajtur pasditen e sotme me temë kryesore sulmet kibernetike, kreu i qeverisë ka shmangur pyetjen e njëri prej gazetarëve lidhur me atë çfarë shkaktuan sulmet kibernetike në vendin tonë.
Si deklaroi se këtë pyetje e shmangu që në hyrje duke u justifikuar me mosmjaftimin e kohës.
Pyetja ime është për zotin Edi Rama. A mund të ndani me ne që nuk e kanë ndjekur shumë afër sulmin, disa nga ndikimet dhe pasojat konkrete që vendi juaj përjetoi prej këtij sulmi dhe cila ka qenë përgjigja më e shpejtë që mundët të jepnit?
Edi Rama: E shmanga këtë në hyrje sepse do të ishte e ndërlikuar për kohën që kemi në dispozicion. Në Davos mund të nisesh vonë, por nuk mund të përfundosh vonë sepse janë të tjerë që duhet të vijnë të zënë sallën.
Do të përpiqem që të flas në mënyrë sa më të sintetizuar të jetë e mundur. Ajo çfarë kemi bërë është që e konsideruam teknologjinë si barkën e shpëtimit për të shkuar nga një nivel administrimi, që ishte mjaft i ndotur nga korrupsioni endemik, sa i përket ryshfeteve, në një nivel ku kontakti i drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe nëpunësve publikë dhe zyrave u eliminua përmes ndërveprimit online. Ia dolëm kështu të shndërroheshim nga një vend i cili ishte vërtetë në fund në këtë drejtim tek një vend i cili është i teti i renditur në Europë dhe i 16-17 në botë sipas Kombeve të Bashkuara për vendet që përdorin shërbimet digjitale.
Por pikërisht aty donin të na dëmtonin autorët e hacker-imit, praktikisht duke synuar që të asgjësonin tërësisht infrastrukturën tonë digjitale dhe të fshinin tërësisht të dhënat tona të lidhura me shërbimet publike.
Ishte shumë shqetësuese sepse për javë të tëra ishte një luftë e jashtëzakonshme që po ndodhte në internet, 24 orë në 7 ditë të javës, shumë njerëz të përkushtuar në llogore për t’i sprapsur dhe ia dolëm t’i mbijetonin këtij sulmi duke mos i lënë që të bënin atë çfarë donin të bënin.
Përmes një analize shumë tërësore që ne e bëmë përmes ekipit kundër kërcënimeve të Microsoft dhe ekipit të FBI arritën në përfundimin se ishte absolutisht e qartë se pas këtij sulmi ishte një shtet dhe konkretisht Irani. Ky është një sulm që i atribuuam Iranit bazuar në fakte.
Ana tjetër e pranisë të frikshme të krimit kibernetik në jetët tona është se nuk është njësoj si dikush që të hyn në shtëpi, të shpërthen derën apo të thyen dritaren dhe hyn. Kiberkriminelët mund të jenë në shtëpinë tënde dhe ti nuk e di që i ke aty.
Pra, janë depërtime dhe është njësoj si të marrësh e të vendosësh mina me sahat dhe të përcaktosh ditën, kohën kur të shpërthesh minën dhe deri atëherë, ti nuk e di që je duke fjetur mbi një minë.
Ajo çfarë po bëjmë sot, siç e thashë, së bashku me dy vende të tjera mike, është saktësisht kjo; ne po zbulojmë, falë edhe ekspertizës së tyre më të madhe, saktësisht se cilat janë lëvizjet në errësirë, që në të kundërt askush nuk do t’i dinte.
Ne jemi mjaft të angazhuar për të rritur ndërgjegjësimin e sektorit privat për këto rreziqe dhe që të bëjmë që edhe sektori privat të hyjë në bashkëpunim dhe në ndërveprim me qeverinë edhe kur vjen fjala për të kontribuar.
Pra, nuk është aspak një proces i lehtë por është bota e re, ndaj shpresoj që fjalia profetike e Michel Rocard nuk do të vërtetohet me kohën; para se të vdiste ai tha që “Ndjehem shumë i bekuar që jetova në kohën kur lindi interneti dhe ndihem shumë i bekuar që po e lë këtë botë përpara se interneti ta shkatërrojë”./Albeu.com/