Çfarë do të ndodhë nëpër botë gjatë vitit 2023? Ja cilat janë 10 skenarët

Nga Richard Haass “Project Syndicate”

Përktheu Alket Goce-Albeu.com

Lojtari amerikan i bejsbollit Lawrence “Yogi” Berra citohet të ketë thënë në një rast:“Është e vështirë të bësh parashikime, sidomos për të ardhmen!”.

Pavarësisht nëse e ka thënë vërtet këtë gjë apo jo, argumenti i tij vlen. Gjithsesi, ja cilat janë 10 parashikimet e mia për botën për vitin që sapo ka nisur.

Së pari, lufta në Ukrainë, çështja dominuese e vitit 2022, do të vazhdojë, edhe pse në një nivel më pak intensiv. As Rusia dhe as Ukraina nuk do të jenë në gjendje të arrijnë një fitore të plotë ushtarake, gjithnjë nëse me fitore kuptohet shpartallimi i palës tjetër dhe si diktimi i kushteve të një zgjidhjeje territoriale ose politike të pasluftës.

Fitore nuk do të arrijnë as diplomatët, nëse ajo përkufizohet si arritja e një marrëveshjeje që të dyja qeveritë që janë të gatshme ta nënshkruajnë dhe respektojnë. Paqja kërkon udhëheqës që janë të gatshëm dhe të aftë për kompromise, dy elementë që mungojnë dukshëm (edhe pse për arsye të ndryshme) nga të dyja palët.

Së dyti, ndërsa shumë politikë-bërës janë të përqendruar tek potenciali i një lufte SHBA-Kinë mbi Tajvanin, kjo gjë duket shumë e pamundur të ndodhë këtë vit. Udhëheqësi kinez Xi Jinping është zënë duke u përballur me një rritje dramatike të rasteve me Covid-19 që po nxjerr jashtë funksionit sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit të tij, po ngre pikëpyetje në lidhje me kompetencën e Partisë Komuniste në pushtet, dhe po e dobëson më tej atë që ishte tashmë një ekonomi më një ritëm të ngadalësuar.

Kina nuk e ka braktisur aspak synimin e saj për të vendosur nën kontroll Tajvanin, madje edhe me forcë nëse është e nevojshme. Por ndërsa do të vazhdojë të rrisë presionin mbi Tajvanin, ka të ngjarë që t’i ketë shtyrë me të paktën disa vjet veprimet më agresive.

Së treti, ngjarja e vitit do të jetë shfaqja e Japonisë si një aktore gjeopolitike e madhe. Rritja ekonomike e ekonomisë së tretë më të madhe në botë është rishikuar me tendencë rritje në 1.5 për qind, ndërsa shpenzimet e mbrojtjes po shkojnë drejt dyfishimit, duke arritur në 2 për qind të PBB-së.

Duke pasur një nga ushtritë më të afta në rajon, Japonia do të lidhet më ngushtë me SHBA-në për të penguar ose nëse është e nevojshme për ta mbrojtur Tajvanin nga agresioni kinez. Më shumë sesa për Gjermaninë, 2023-shi do të jetë viti kur Japonia do të hyjë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Së katërti, është gati e sigurt që Koreja e Veriut do të kryejë testin e saj të shtatë bërthamor, përveç testeve të shpeshta të raketave balistike. As Koreja e Jugut dhe as SHBA-ja nuk do të jenë në gjendje të parandalojnë veprime të tilla, ndërsa Kina, i vetmi vend në gjendje ta bëjë këtë, nuk do përdorë levat e saj të konsiderueshme për të mos e dobësuar fqinjin e saj, duke vënë në lëvizje dinamika që mund të shkaktojë destabilitet në periferinë e saj.

Së pesti, marrëdhëniet transatlantike, që sot janë më të forta tani për tani për shkak të një vullneti të përbashkët për t’i bërë ballë pushtimit të Rusisë dhe ndihmuar Ukrainën, do të vuajnë nga fërkimet e shtuara, për shkak të pakënaqësisë së evropianëve me proteksionizmin ekonomik të SHBA-së dhe pakënaqësisë së amerikanëve me varësinë e vazhdueshme ekonomike të kontinentit nga Kina. Ato mund të vuajnë edhe si pasojë e ndryshimeve në qasje mbi mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për Ukrainën dhe mbi nivelet e shpenzimeve në mbrojtje.

Së gjashti, ekonomia globale ka të ngjarë të zgjerohet më ngadalë se sa parashikojnë aktualisht shumica e analistëve. FMN po parashikon një rritje globale 2.7 për qind. Por
shifra reale mund të jetë më i ulët. Kjo për shkak të keq-menaxhimit të Covid-19 nga Kina, vazhdimit të uljes së normës së interesit nga Rezerva Federale e SHBA, destabiliteti politik në pjesë të Afrikës dhe Amerikës Latine, ngjarjet ekstreme të motit dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.

Së shtati, Konferenca vjetore e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28 mbahet këtë vit në Dubai) do vazhdojë të zhgënjejë. Në kushtet kur shqetësimet ekonomike afatshkurtra po i tejkalojnë konsideratat afatmesme dhe afatgjata mbi klimën, efektet e ngrohjes globale ka të ngjarë të përkeqësohen ndjeshëm.

Së teti, marrëdhëniet izraelito-palestineze do të bëhen më të dhunshme pasi ndërtimi i vendbanimeve nga Izraeli do të zgjerohet, dhe diplomacia nuk po tregon asnjë perspektivë për krijimin e një shteti palestinez, me kushtet që mund të pranohen nga të dyja palët.

Së nënti, India do të vazhdojë të zhgënjejë ata që parashikojnë gjëra të mëdha për të. Ajo do vazhdojë të blejë armë dhe naftë nga Rusia, dhe do t’i përmbahet mos-angazhimit, edhe pse kërkon më shumë ndihmë nga Perëndimi kundër Kinës. Po ashtu ekziston rreziku që India të vazhdojë të bëhet gradualisht më jo-liberale dhe më pak laike.

Së fundi, Irani ka të ngjarë të jetë çështja dominuese e këtij viti. Protestat kundër regjimit
do të përshkallëzohen për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike dhe përçarjeve brenda udhëheqjes, nëse do të arrihet një kompromis apo do arrestohen dhe vriten protestuesit.

Marrëveshja bërthamore e 2015-ës nuk do të rikthehet më, duke pasur parasysh ndihmën ushtarake të Iranit për Rusinë dhe dëshirën e SHBA-së për të shmangur ndihmën ndaj ekonomisë së një regjimi armik. Udhëheqësit iranianë mund të zgjedhin të vazhdojnë programin e tyre me shpresën e arritjes së një përparimi vendimtar, apo për të provokuarn një sulm nga Izraeli, skenar që do t’i lejonte të bënin thirrje për unitet kombëtar.

Një mundësi tjetër është që kohezioni i forcave të sigurisë t’i lërë vendin luftës civile. Për herë të parë që nga rënia e Shahut në vitin 1979, e ardhmja e Republikës Islamike do të jetë në dyshim serioz. Për të gjitha këto që përmenda më lart, 2023-shi mund të mos jetë një vit i ri i lumtur, por do të jetë me siguri një vit interesant.

Shënim:Richard Haass, drejtues i think-tankut “Council of Foreign Relations”. Më herët ka qenë Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003).