CEZ-DIA nuk është e vetmja dosje për Metën në SPAK, për çfarë hetohet tjetër ish-Presidenti! Pse Duçka dhe Kulla u thirrën në prokurori?

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është thirrur ditën e sotme në SPAK, ku është marrë në pyetje për aferën CEZ-DIA, e cila i ka shkatuar buxhetit të shtetit shqiptar një dëm prej 414 milionë eurosh.

Vetë Meta e cilësoi thirrjen e tij në SPAK si një telenovelë për të cilën është gjykuar dy herë.

Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje”- tha Meta.

Kujtojmë që dy ditë më parë në SPAK u paraqit edhe ish-këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla, i cili është pyetur po për aferën CEZ-DIA.

Burime për AlbEu.com, bëjnë me dije se Kullës i është kërkuar llogari për hyrje-djaljet tij jashtë vendit të cilat janë raportuar edhe në sistemin TIMS, pasi dyshohet se mund të ketë lëvizur shuma monetare për llogari të ish-Presidentit dhe familjes së tij.

Ndërkohë të njëjtat burime konfirmojnë se edhe Dorjan Duçka i cili dëshmoi para disa ditësh në SPAK është thirrur po për çështjen CEZ-DIA, e jo për atë që u raportua në media, siç është çështja “McGonigal.

Burimet bëjnë me dije se Duçka është pyetur pasi ka dyshime se ai ka ngritur një “Guaskë financiare” jashtë Shqipërisë, për pastrimin e parave të përfituara nga afera CEZ-DIA.

Po të njëjtat burime konfirmojnë për AlbEu.com, se ndaj ish-Presidentit Meta janë 3 Dosje në SPAK të cilat po hetohen paralelisht, pasi mund të kenë lidhje të forta me njëra-tjetrën.

Pas CEZ-DIA në SPAK, Meta po hetohet edhe për transaksionet e dyshimta që janë bërë jashtë vendit për kurimin e tij dhe të familjarëve të tij, si dhe për lobimin ndaj forcës politike para dhe pas drejtimit të tij.

Gjithashtu burimet bëjnë me dije se për dy nga çështjet nën hetim janë dhe familjarë të tij, të cilët pritet që të thirren në SPAK brenda pak ditësh.

Afera CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Mesa duket hetimet e dosjes CEZ-DIA por dhe të dosjeve të tjera do të sjellin detaje të reja, por edhe implikimin e të tjerëve politikanë me peshë në Shqipëri dhe familjarëve të tyre. Opinioni publik nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë vijimin e hetimeve.

AlbEu.com do ju mbajë të informuar mbi çdo detaj të ri në lidhje me dosjet hetimore, ku dyshohet se politikanë shqiptarë janë të përfshirë në korrupsion.

 


Shtuar 8.11.2023 19:18