Fatmir Mediu u rikthye edhe njëherë në gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, jo vetëm nga ankesa e familjarëve të fëmijës së vrarë, por edhe nga ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi në të cilat parashikohet se një çështje e pushuar mund të hapet jo vetëm mbas provave të reja, por edhe zbulimit të të dhënave të reja.
Si e dhënë e re për SPAK konsiderohen ndryshimet kushtetuese mbi imunitetin parlamentar , që i japin të drejtë akuzës të ndjekë penalisht një deputet pa qenë e nevojshme kërkesa për autorizim. Megjithatë kolegji i gjykatës së lartë tërheq vëmendjen se nga 2009 kur u pushua gjykimi ndaj ish ministrit, duke nisur prej 2017 akuza mund ta kishte rihapur çështjen.
GJYKATA E LARTE: Prokuroria nuk ka pasur ndonjë pengesë që të ushtronte funksionin e saj si përfaqësues i akuzës, konform ligjit, situatë procedurale kjo e transferuar si kompetencë te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por nëse gjykata e posaçme vendos ta pranojë SPAK-un , çfarë ndodh me ish-ministrin e mbrojtjes? Këtë e sqaron vetë kërkesa e prokurorisë së posaçme që sillet në vendimin e moskompetencës.
SPAK: Vlerësojmë se pas revokimit të vendimit të pushimit të çështjes penale, ndjekja penale dhe procesi penal duhet të vazhdojë në fazën proçedurale ku ka mbetur, pra në fazën e gjykimit të çështjes. Shtetasi Fatmir Mediu gjatë fazës së hetimeve paraprake të çështjes penale të mësipërme është njohur me akuzën ndaj tij, është njohur me të gjitha aktet procedurale në ngarkim të tij dhe për këtë çështje penale është marrë vendimi për dërgimin në gjyq dhe është paraqitur kërkesa për gjykim. Faza e hetimeve paraprake është përfunduar në përputhje me kërkesat e ligjit procedural penal të zbatueshme në atë kohë dhe shkaku i pushimit të çështjes ka lindur në fazën e gjykimit. Pra, faza e hetimit paraprak është e tejkaluar në çështjen penale konkrete dhe procesi penal duhet që të vazhdojë në fazën e gjykimit të çështjes./TCh