Nga Liana Milella “La Repubblica”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“Vladimir Putin dëshiron të zhdukë identitetin e një populli. Prandaj duhet të përgjigjet penalisht për këtë gjë”. Ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, protagoniste e gjyqit ndaj Slobodan Milosevic, e kishte denoncuar që një vit më parë përgjegjësitë penale të presidentit rus.
Në një intervistë për La Repubblica ajo shprehet e gëzuar që më në fund është arritur një moment historik shumë i rëndësishëm, që është në fakt vetëm hapi i parë drejt ndëshkimit të krimeve të tjera të panumërt,a për të cilat duhet të akuzohet Putin.
Moska thotë se vendimet e Gjykatës Penale nuk kanë kuptim as nga pikëpamja juridike…
Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që një regjim autoritar si ai rus, reagon duke thënë se nuk e njeh drejtësinë ndërkombëtare. Kjo gjë ka ndodhur tashmë me Beogradin. Kështu u shpreh edhe vetë Milosevic dikur. Këtë herë është radha e presidentit rus Putin që të marrë një përgjegjësi të tillë.
Në vend të tij ka folur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse…
Reagimi i saj është i papranueshëm, sepse nuk është qeveria ruse nën ndonjë padi penale, por një person specifik, Vladimir Putin. Sepse përgjegjësia penale ka të bëjë vetëm me një person, pra Putinin.
Sepse është lufta e tij dhe ai është i vetmi frymëzues i saj…
Krimi i luftës për të cilin akuzohet, deportimi i fëmijëve, është shumë i rëndë dhe nuk e kemi parë ende të sfiduar në nivelin e përgjegjësisë penale. Por ka shumë krime të tjera lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë ndodhur në një vit luftë në Ukrainë, të cilat janë tejet të rënda dhe për të cilat ai personalisht duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Për çfarë krimesh po flisni?
Po flas që akuzat që kanë të bëjnë me sulmin sistematik kundër të gjithë civilëve, torturat e përsëritura të ushtruara mbi popullatën ukrainase, aktet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, të gjitha shkeljet e kryera nga ushtria ruse, e cila iu përgjigj urdhrave të tij si udhëheqësi i saj suprem.
A do të jetë e mundur të lidhen dëbimet e fëmijëve me përgjegjësinë e Putinit?
Me siguri që po. Nëse është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, do të thotë se Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka paraqitur tashmë provat e këtij krimi. Dhe nëse gjyqtarët thanë po, kjo do të thotë se ato prova janë bindëse.
Po flasim për përpjekjen për të zhdukur një identitet etnik….
Nga përvoja që kam deri më tani nga krimet e luftës në ish-Jugosllavia, Ruandë, Siri, nuk kam parë kurrë një sjellje të tillë kriminale, me dëshirë për të zhdukur plotësisht identitetin e një populli.
Putin dha urdhrin, por janë edhe ata që e zbatuan. A do të duhet të provohet përgjegjësia e zinxhirit të komandës për ta ndëshkuar atë?
Sigurisht që edhe kjo është bërë tashmë. Dhe prova është tek urdhër-arrestin që ka të bëjë edhe me komisionerin presidencial për të drejtat e fëmijëve në Rusi, që madje arriti deri aty sa të falënderojë publikisht presidentin Putin në një intervistë, sepse falë tij Rusia “mundi të mirëpresë fëmijët ukrainas”. Në fakt, u privuan nga familja dhe historia e tyre.
A keni lexuar deklaratën e ish-presidentit rus Dmitry Medvedev që e quan urdhër-arrestin një “letër higjienike”?
Nëse Vladimir Putini provon të largohet nga Rusia, ai do ta gjejë veten duke përdorur letër higjienike nga burgu i Hagës.
A besoni vërtet se Putini do ta lejojë veten të arrestohet?
Një fakt është i sigurt:Nga sot jeta e tij si kreu i shtetit rus bëhet më e vështirë. Ai do të ndalohet të marrë pjesë në çdo lloj samiti ndërkombëtar. Është e pamohueshme që kërkesa për arrest e dëmton në mënyrë të pariparueshme imazhin e tij publik. Sot në Rusi ai është president, por është e qartë se krimet shumë të rënda në ngarkim të tij, mund të kenë një efekt negativ edhe në aspektin e politikës së brendshme.
A mund të gjykohet ai në mungesë?
Absolutisht që jo. E drejta ndërkombëtare parashikon praninë e të akuzuarve në sallën e gjyqit. Pra pa Putinin në pranga, nuk mund të zhvillohet gjyqi ndaj tij.
Çfarë ndikimi do të ketë kjo aktakuzë në luftën e Ukrainës?
Unë jam juriste dhe nuk merrem me politikë. I qëndroj vetëm përvojës sime. Milosevic iu bashkua bisedimeve të paqes kur nisi hetimi penal ndaj tij. Tani duhet shpresuar që edhe Putin ta shikojë me një interes më të madh perspektivën e një armëpushimi. Por, ashtu si Milosevic, akuzat kundër tij do të mbeten në pritje të gjykimit. Dhe do të jetë në dorën Prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Penale, të cilit unë e duartrokas si ish-koleg, që t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.