“Ça të keqe ka me ardh’ leku te ne”, surprizon deputeti socialist: Jam pro kampit të refugjatëve në Shqipëri

Deputeti socialist Paulin Sterkaj, është shprehur pro ardhjes së emigrantëve nga Britania e Madhe në vendin tonë.

Sterkaj tha në Komisionin për Sigurinë Kombëtare se mbështet marrëveshjen me Britaninë e Madhe për strehimin e emigrantëve nga vendet e treta në këmbim të 100 mijë paundëve për person.

Ai deklaroi se kjo marrëveshje nuk ka arsye pse ta shqetësojë Shqipërinë për sa kohë siguria kombëtare nuk cenohet.

“Vjen një person me 100 mijë paund. Kosto minimumit jetik në Shqipëri është 500 paund. Kemi kohë me e mbajt 20 vite në Shqipëri pa asnjë lloj problemi. Ju e dini se çfarë njerëzish kemi në Britaninë e Madhe. Shqiptarët që jetojnë në Angli nuk i ka luajtur kush. Ka dhe me dy emra. Kjo marrëveshje nuk na shqetëson hiç.

Na hap mundësinë me komunikuar edhe Britaninë e Madhe që ka dalë nga BE. Siguria kombëtare cenohet kur nuk ke mundësi financiare me i mbajtur. I kam takuar. Ai mund të jetë edhe shqiptar dhe bën me u duk njëfije si kaçurrel dhe të zi. Nga kjo ju nuk duhet me u mërzit. Unë shpesh herë kam dalë kundra qeverisë. Kjo marrëveshje nuk i bën asgjë të keqe vendit tonë. Vetëm se na rrit mundësinë me qenë pak më human.

Ju thoni se po vijnë ata dhe po bëjnë një kamp në Shqipëri dhe po fiton lekë ai. Po me ardhur leku në Shqipëri çfarë të keqe ka?”, tha Sterkaj./albeu.com/