“Burrin ma vrau babai”, rrëfehet gruaja që bëri 11 vite burg si bashkëpunëtore

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur me Rruzhdie Dalipin. Kjo e fundit është dënuar për vrasjen e bashkëshortit të saj, Përparimit, në vitin 1999. Ajo u arrestua pas vrasjes si bashkëpunëtore, pasi ai u vra nga babai i Rruzhdies.

Ajo pretendon se e gjitha ka qenë një mashtrim i madhe dhe një vendim i gabuar nga Adriatik Llalla, në atë kohë prokuror i Lushnjës. Ajo ka bërë 11 vite në burg dhe është përballur me situata shumë të vështira.

“Burrin ma vrau babai, bëra padrejtësisht burg. Atë natë, ky kishte ardhur nga Korça dhe kishte shkuar e pirë me djemtë e lagjes. Piu raki atje, kishte kërcyer. Unë isha në gjumë bashkë me vajzën kur kam dëgjuar krismat në 10 të darkës”, tregoi fillimisht ajo.

Më pas zonja shprehet se kur e kanë marrë në polici, kanë dashur që ta bëjnë me zor që të pranojë se e ka vrarë ajo të shoqin.

“Ti e vrave më thoshte, më ka torturuar shumë. Më ka rrahur me shkop gome, më ka shkulur flokët. Po ta kisha vrarë do ta pranoja. Oficeri i policisë thoshte pranoje. Unë nuk di të përdor armët.  Por polici ishte shok i nipit të babait. Donin që ta mbaja unë fajin, pasi isha e re. I thashë babait do vdesësh, e do dalësh me arkivol. E ashtu doli nga burgu”, rrëfen Rruzhdie.

Kjo e fundit tregon se e bija ka qenë 3 vjeçe kur ka hyrë në burg dhe në asnjë moment nuk ia kanë dërguar që ta shikonte.

“Vajza ishte 3 vjeçe kur hyra në burg, e mbajti vjehrra deri kur vdiq. Nuk ma sollën në asnjë moment që ta shikoj. Pasi dola e kam takuar vajzën. Kam ilaçe nga stresi që nuk dija asgjë për vajzën kur isha në burg”, përfundon ajo.


Shtuar 17.03.2021 14:03

Tags: