Disa ditë më parë, elektricisti Ylli Boba humbi jetën në krye të detyrës në fshatin Kovashicë të Bulqizës. Gjatë punës, 32 vjeçari ra në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë mbeti i vdekur ne vend.
Familjarët e tij, në një deklaratë për mediat bënë thirrje për një hetim të plotë nga Prokuroria dhe policia e Dibrës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ata pretendojnë se ka pasur shkelje të procedurave të sigurisë nga OSHEE-ja.
Erjola Lami e afërme e viktimës dhe njëherësh avokate tha se gjatë kohës që po punohej për riparimin e defektit nuk është bërë ndërprerë energjia elektrike.
Familjarët akuzojnë dhe Inspektoratin e Punës pasi nuk ka ushtruar kontrolle në lidhje me sigurimin teknik, kushtet e punës dhe mungesën e mjeteve të punës në OSHEE. Avokatja shprehet se 32-vjeçari nuk ishte i specializuar për të bërë ndërhyrje në rrjetin 10 mijë volt të kabinave, por ishte i punësuar si mirëmbajtës.
Mesditën e 31 Janarit, policia njoftoi për vdekjen e punonjësit të OSHEE-së, Ylli Boba, duke cilësuar se është rrëzuar nga shkallët teksa riparonte një defekt në kabinën elektrike. Ndërsa familjarët pretendojnë të kundërtën. Sipas tyre shkak nuk është pakujdesia por shkelja e rregullave të punës nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.